Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është bërë sot trajtimi i pari i Covid përmes plazmës së gjakut. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, i cili ka thënë se kjo lloj terapie do të ndihmojë pacientët me Covid.
Zemaj në një postim në mediat sociale, shkruan se ky është tregues i suksesit të profesionistëve dhe shëndetësisë tonë dhe shton se Kosova tashmë është bërë shembull për rajonin.
“Klinika Infektive tashmë ka bërë edhe dhënien e plazmës konvalescente tek pacienti i parë. Gjatë dhënies, mjekët thonë se pacientët nuk kanë pasur efekte anësore dhe plazma është përballuar mirë. Në orët e pasdites trajtimit u janë nënshtruar edhe dy pacientë të tjerë, pranë Klinikës Infektive.
Plazma konvalescente si terapi mbështetëse, do të ndihmojë të gjithë ata pacientë që kanë nevojë për një trajtim të tillë dhe do të zbatohet sipas udhëzuesit të nënshkruar ditë më parë. Ky është tregues i suksesit të profesionistëve dhe shëndetësisë tonë. Jemi bërë shembull për rajonin”, shkruan Zemaj.
Ndërkohë në Kosovë shifrat e pandemisë duket se janë frenuar, pasi ditët e fundit është vënë re një tendencë rënëse për sa i përket infektimeve dhe numrit të viktimave./tvklan.al