Dy mijë shkolla në vend kanë hapur dyert për 650 mijë nxënës të arsimit parauniversitar që kanë nisur vitin e ri shkollor.
50 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollave.
“Unë jam shumë e kënaqur që kam ardhur sot në ditën e parë të shkollës”.
Gazetarja: Ça klase je ti?
“Të parën”.
Gazetarja: I ke marrë të gjitha librat?
“Po”.
Gazetarja: Do mësosh shumë?
“Po.”
“Unë jam shumë e gëzuar se do iki në klasë të parë”.
Gazetarja: Si ndihesh sot që po vjen në klasë të parë?
“Shumë mirë edhe kam qejf. Do mësoj shumë”.
“Suksese të gjithëve”.
Plot gëzim, frikë dhe ndrojtje ata janë ulur në bankat e shkollës ku kanë pritur edhe apelin e parë.
Edhe gjimnazet kanë mirëpritur 40 mijë të rinj që i përkasin klasës së dhjetë, e cila çel një epokë të re për shkollat e mesme shqiptare, me programe, kurrikula e tekste tërësisht të reja e të standardit të komunitetit evropian.
Urimeve për një vit të mbarë u është shtuar edhe ai i presidentit të republikës në një mesazh të përcjellë nga shkolla e tij e pare.
Kreu i shtetit foli gjithashtu për nevojën e thellimit të reformave në arsimin shqiptar.
Bamir Topi: “Sot janë të gjitha mundësitë që nxënësit shqiptarë, qytetarët shqiptarë të jenë plotësisht në standardet e qytetarëve evropianë. Për këtë është e padiskutueshme që politika, institucionet e Shqipërisë kanë një përgjegjësi të veçantë për thellimin e reformave në fushën e arsimit dhe unë jam i bindur sikurse janë bërë shumë gjëra do të bëhen dhe në të ardhmen”.
Ministri i ri i arsimit, Myqerem Tafaj, ka zgjedhur shkollat e Kamzës, zonës së tij elektorale, për të uruar nxënësit si dhe u ka premtuar se ato do të jenë prioriteti i qeverisë.
Myqerem Tafaj: “Jam shumë i gëzuar, jashtëzakonisht i gëzuar që do kem nderin e madh të punoj për ju, për të gjithë nxënësit dhe mësuesit, studentët dhe pedagogët e Shqipërisë. Jeni në qendër të vëmendjes të qeverisë Berisha edhe për mandatin 2009-2013.”/tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami