Shiu po bëhet më i shpeshtë në Greenland dhe po përshpejton shkrirjen e akullit atje. Të dhënat vijnë nga një studim i ri dhe shkencëtarët thonë se janë të surprizuar që kanë zbuluar se edhe në dimrin e gjatë Arktik bie shi. Shtresat masive të akullit në Greenland po mbahen nën vëzhgim, për shkak se përmbajnë një sasi të madhe uji të ngrirë.

Dhe nëse i gjithë ky akull do të shkrinte, niveli i deteve do të rritej me 7 metra, duke kërcënuar kështu qendrat e populluara bregdetare nëpër botë. Zakonisht gjatë dimrit në Greenland bie dëborë, e jo shi, duke bërë që të ruhet balanca e shkrirjes së mundshme të akullit në verë.

Sipas asaj që shkruan BBC, shkencëtarët studiuan pamje të kapura nga sateliti të shtresave të akullit. Ata zbuluan se reshjet e shiut ishin rritur që prej 2012-s. Në më shumë se 300 raste, mes 1797-2012, analizat e tyre zbuluan se reshjet e shiut kishin shkaktuar shkrirje të akullit. Pjesa më e madhe kishin ndodhur në verë, ku temperaturat e ajrit shpesh ngjiten mbi zero.

Por një numër gjithnjë e në rritje ndodhte edhe në muajt e dimrit, kur errësira permanente e dimrit polar pritet që t’i mbajë temperaturat nën zero.

Ekspertët thonë se u surprizuan me faktin që bie shi në dimër, megjithatë ata thonë ky fenomen bën sens për shkak të valës së të nxehtit që vjen nga Jugu.

Sipas shkencëtarëve, rritja e reshjeve të shiut mund të ketë pasoja të rëndësishme.

Edhe nëse bie gjatë dimrit dhe më pas ngrin shumë shpejt, shiu ndryshon karakteristikat e sipërfaqes, duke e lënë atë më të butë dhe më të errët dhe e përgatit që të shkrijë më shpejt kur të vijë vera. Sa më i errët të jetë akulli, aq më shumë nxehtësi thith nga dielli, duke bërë që të shkrijë më shpejt. Kjo hap një derë në një botë që është ekstremisht e rëndësishme për t’u eksploruar”

, tha Prof. Marco Tedesco nga Universiteti i Columbia në New York, në një prej shkencëtarëve që mori pjesë në këtë studim.

Ndonëse Greenland është shumë e izoluar, një ishull i madh që ndodhet në fund të anës veriore të Oqeanit Atlantik, volumi i shtresave të akullit që e mbulon do të thotë se fati i saj mund të këtë pasoja globale.

Ndonëse kontribuon në një sasi relativisht të vogël të sasisë së rritjes së nivelit të detit, ekziston frika se shkrirja gjithnjë e më shumë e akullit mund të përshpejtohet me rritjen e temperaturave.

/tvklan.al