Drini Zeqo: “Përshëndetje Fjoralba, përshëndetje ty dhe të gjithë teleshikuesve të Televizionit Kombëtar Klan. Ndodhemi në zonën e quajtur si Kalimash, ose më saktë në fundin e tunelit Thirrë-Kalimash të tunelit të famshëm prej 5.5 km të gjatë.”

Fjoralba Mishaxhi: “Përpara se të ftosh të ftuarit e tua ne presim edhe bisedën me ta. A mund të më thuash a ka filluar të ndryshojë atmosfera atje, a ndihet që sonte entuziazmi i ceremonisë që pritet të zhvillohet ditën e nesërme?”

Drini Zeqo: “Atëherë nëse flasim për pjesën që lidhet me entuziazmin dhe jo atë teknike duhet të themi se e gjithë zona, madje në disa km në të 4 skajet në veri, jug, lindje dhe perëndim është tej mase e entuziazmuar. Ka pafund njerëz të cilët kanë ardhur nga të 4 anët e Shqipërisë, shumë njerëz kanë ardhur nga Kosova, po ashtu shumë nga Shqipëria, priten që nesër në mëngjes të vijë një fluks i madh njerëzish. Aktualisht janë duke u bërë punët e fundit për atë që do të ndodhi ditën e nesërme ceremoninë e takimit të dy kryeministrave në brendësi të tunelit i cili ndodhet pas krahëve tona.”

Fjoralba Mishaxhi: “Përveç pjesës së entuziazmit ashtu siç e the edhe ti, lidhur me protokollin, në thamë që kryeministrat e dy vendeve do të jenë nesër të pranishëm politikanë e qytetarë të shumtë, a ke mundur të sigurosh ndoshta detaje të tjera që lidhen pikërisht me këtë pjesë, me organizimin?”

Drini Zeqo: “Me organizimin duhet thënë një fakt që është shumë i rëndësishëm që është munduar që çdo gjë të mbahet në thonjëza sekret dhe të zbulohet vetëm nesër në mesditë. Por mund të them me siguri që në orën 12, pra në mesditën e nesërme do të zhvillohet takimi i dy kryeministrave, i kryeministrit shqiptar zotit Sali Berisha dhe kryeministrit kosovar zotit Hashim Thaçi, në një pikë në brendësi të tunelit të cilën do të na e shpjegojë më qartë dhe kryemenaxheri i tunelit. Ndërkohë dua të shtoj faktin se nga pala shqiptare, pra delegacioni shqiptar i cili do të mbërrijë ditën e nesërme në këtë pikë ku ndodhemi neve, do të jetë i përbërë nga 140 veta. Delegacioni shqiptar sigurisht veç kryeministrit Sali Berisha është i përbërë nga kryetarja e Parlamentit zonja Jozefina Topalli, ministria të ndryshëm të kabinetit, duke përmendur këtu ministrin e Transporteve zotin Sokol Olldashi, ministri i Jashtëm zoti Lulzim Basha, drejtues të lartë të dikastereve të ndryshëm të cilët sigurisht që lidhen me rrugën dhe me projektet infrastrukturore në vend do të jenë të pranishëm. Ndërsa nga pala kosovare informacionet janë më të pakta, e sigurt është prezenca e kryeministrit Thaçi dhe e 4 makinave të tjera VIP, bisedë të cilën e dëgjova pak më parë, prezenca e të cilave po sigurohet në mënyrë që çdo gjë të jetë nën kontroll. Masat e sigurisë duhen thënë që janë shumë të larta pasi prezenca e personaliteteve në brendësi të tunelit do të jetë e madhe dhe në të tilla raste kujdesi është maksimal.”

Fjoralba Mishaxhi: “Edhe diçka tjetër Drini, pas përfundimit të ceremonisë nesër çfarë do të ndodhë me tunelin, do të jetë ai i gatshëm për ti dhënë mundësi të lëvizin lirshëm qytetarët apo duhet pritur të përfundojë rruga në tërësi e parashikuar për datën 15 qershor?”

Drini Zeqo: “Mua nuk më takon shumë që të flas për pjesën teknike, do t’i drejtohem në fakt në këto momente dhe kryemenaxherit të tunelit zotit Sali Alkan, ai ka qenë person i cili është marrë gjatë gjithë kohës që nga momenti kur është vënë detonatori, butoni i të cilit është shtypur në datën 4 shkurt nga kryeministri Sali Berisha, transmetim të cilin unë në televizionin Klan kam pas pasur mundësinë që ta transmetoj live. Ka qenë një moment shumë emocionues, kemi qenë në momentin e detonimit dhe të shpërthimit dhe tani jemi prapë në momentin kur të dy tunelet janë të gatshëm për tu kaluar. Atëherë zoti Sali mirëmbrëma! Së pari do donim t’ju pyesnim se në cilën pikë do takohen dy kryeministrat ai shqiptar dhe kosovar Berisha dhe Thaçi?”

Sali Alkan: “Takimi i dy kryeministrave do të jetë në 2704 metër nga hyrja e tunelit nga krahu i Kalimashit.”…./tvklan.al