Një draft i ri me shumë ndryshime është gati për Policinë e Shtetit. Pas Konferencës AntiKorrupsion, ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se ky draft për një ligj me shumë rëndësi për këtë institucion, do jetë i disponueshëm për pak ditë.
“Besoj që në pak ditë, drafti do jetë i disponueshëm dhe për ato që quhen konsultime publike, dhe për t’i dhënë rrugë pastaj miratimit në qeveri dhe kalimit në Kuvend.”
Sipas tij, ligji i ri ka në bazë meritokracinë dhe garantimin e karrierës së çdo efektivi që punon me ndershmëri.
“Ligji i ri i Policisë së Shtetit duhet të garantojë një dinamizim të karrierës brenda Policisë së Shtetit. Duke i dhënë mundësi meritokracisë që të jetë dimensioni kryesor i të bërit karrierë, duhet t’u garantojmë çdo punonjësi të ndershëm, profesionist të Policisë të bëjë karrierë. E vërteta është se brenda Policisë së Shtetit në këto vite ka patur një bllokim të karrierës, ka plot oficerë të zotë të cilët nuk kanë mundur të bëjnë përpara me sistemin e gradave dhe kjo e pamundëson marrjen e përgjegjësive konkrete në funksione drejtuese, sikurse ka pasur një stagnatizim sa i përket ndryshimit të gjeneratave dhe në këtë aspekt mendoj se pas një pune intensive, të përditshme, të kemi shumë shpejt një draft ku dhe ju e opinioni publik jeni të mirëpritur. Unë mendoj që ligji i ri i Policisë së Shtetit që i është referuar eksperiencave më të mira duhet të na garantojë një Polici e cila t’i përgjigjet kërkesave dhe pritshmërive të publikut në qasjen tonë për ta shndërruar në institucionin më të besuar në vend. Është ligj që përsa i përket numrit të neneve dhe ndryshimeve, goxha i madh dhe puna përfundimtare është po aq e rëndësishme për ta bërë gati për diskutime.”
Po a do të ketë një Kod të ri Etike?
Taulant Balla: Në mes të Korrikut kam kërkuar që Kodi ekzistues të vendoset në dyert e çdo komisariati. Kjo ka ndodhur, por tashmë pas shumë konsultimesh edhe për Kodin ka plot ide novatore të cilat na kanë ardhur për t’u përfshirë. Është e nevojshme të rregullojmë qasjen e punonjësve të policisë për të parandaluar çdo lloj komunikimi të papërshtatshëm. Ta kenë më të qartë që në ushtrimin e detyrës duhet të garantojnë punë me integritet të lartë dhe me elementë të tjerë që garantojnë sukses. Aleati më i madh është publiku./tvklan.al