Një recetë për dashurinë ende nuk është gjetur, por nga historia e Hatixhesë dhe Luanit, gjendet te gjërat e vogla. Në rrëfimin që i bën nipit të saj, Ardit Gjebreas në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo tregon si ia ka dalë që me Luanin të rrisë dy djemtë, të jetojnë dashurinë ditë pas dite dhe ta shijojnë deri në fund. ‘Receta’ e hallës së moderatorit për dashurinë është e thjeshtë e duket se ka funksionuar më së miri.
Hatixhe: Nusja e madhe më ka thënë që më jep një recetë. Recetë i thashë, po. Recetë, ngrihem në mëngjes, i bëj mëngjesin, “jo” tha.
Ardit Gjebrea: “Jo”, tha ‘fransuaza’.
Hatixhe: “No”, tha francezka, i bëj këpucët gati, “no”, i jap një të puthur. “Dakord”, tha. Pastaj kur erdhi puna, i thashë e di pse? “Pse?”, tha. Se ky nga rruga “Bardhyl” deri te Spitali Ushtarak shkon me biçikletë, bën 4-5 operacione, pi vetëm një gotë qumësht gjatë kësaj 5-6 orë, kthehet prapë me biçikletë, e ngjit biçikletën në katin e pestë sepse ishte pallat i ri, s’njiheshim me komshinjtë, ah tha, paske të drejtë. Më dha të drejtë nusja.
Me shumë emocione, Hatixheja e përshkruan Luanin si një njeri shumë tolerant e të urtë. Pas kaq vitesh së bashku kur të dy janë në moshë të thyer, nuk kalon asnjë ditë pa i shprehur dashurinë njëri-tjetrit.
Ardit Gjebrea: Po kur thua “e dua”, çfarë ndien?
Hatixhe: Me shpirt. Njësoj sikur ishim të rinj. Në këtë moshë që është ai, bën shumë për mua.
Ardit Gjebrea: I thoni të dua shpesh njëri-tjetrit?
Hatixhe: Shumë shpesh.
Ardit Gjebrea: Cili është mesazhi që do t’i japësh sot?
Hatixhe: Dua në radhë të parë të rrojmë edhe pak. Të rrojmë kështu siç jemi, po qe se fillon harresa e këto, më mirë të ikim, por sa të jemi bashkë, të vazhdojmë jetën që kemi filluar. Shumë tolerant, shumë i dashur, mundohet të më ndihmojë, ta bëj unë këtë, ta bëj unë atë. Jo për ta mburrrur, por është vërtet burri ideal. Do ia këshilloja çdo vajze të re të ketë fatin tim./tvklan.al