Tufa e parë me avionët luftarakë F-16, prodhim amerikan, do të mbërrijë së shpejti në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda. Ata do të fluturojnë mbi qiejt ukrainas këtë verë, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Kohëzgjatja e procesit, nga prokurimi i avionëve luftarakë dhe trajnimi i pilotëve ukrainas e deri te fluturimi i tyre, e ka zemëruar Kievin.

Rusia ka pasur kohë për ta përgatitur mbrojtjen në përpjekje për ta asgjësuar ndikimin e avionëve F-16, ndërkohë që Ukrainës i është dashur të mbijetojë me një mbrojtje të dobët ajrore, e cila është shumë më e vogël sesa mbrojtja ajrore e sofistikuar e armikut.

Më poshtë mund t’i lexoni disa fakte për mënyrën se si avionët F-16 mund ta ndihmojnë Ukrainën dhe për pengesat me të cilat përballet ajo për përdorimin e tyre.

Ndikimi i mundshëm

Disa analistë thonë se vetëm avionët F-16 nuk do të dëshmohen si pikë kthese në luftën pushtuese që Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.

“Duhet ta ndani simbolizmin nga ndikimi i mirëfilltë në fushëbetejë – i cili do të jetë i dobishëm por i thjeshtë, posaçërisht në fillim”, tha Mark Cancian, këshilltar i lartë për Programin e Sigurisë Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Serhii Kuzan, kryetar i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim, një grup hulumtues joqeveritar, tha se nevojiten së paku 60 avionë për operacione të mëdha në përpjekjet e Ukrainës për ta zmbrapsur aviacionin rus matanë kufijve të vet.

Ligjvënësja Oleksandra Ustinova, e cila e udhëheq komisionin parlamentar të Kievit për armët dhe municionet, tha se Ukraina ka nevojë për gati 120 avionë F-16, për ta forcat dukshëm mbrojtjen ajrore.

Derisa pilotët fitojnë përvojë në qiejt ukrainas dhe ushtria ndërton infrastrukturën ajrore, dërgesat e para mund ta ndihmojnë Ukrainën së paku ta forcojë mbrojtjen e vet ajrore, thonë ekspertët.

“Do të ofrojnë paksa mbrojtje ajrore dhe, mbase, do të ndihmojnë për t’u mbrojtur kundër Shahedëve [dronëve të prodhimit iranianë] dhe kundër raketave lundruese”, tha Justin Bronk, hulumtues i lartë i teknonologjisë dhe fuqisë ajrore në Royal United Services Institute (RUSI).

Ushtria ukrainase ka punuar fort për ta kufizuar kërcënimin ndaj avionëve F-16 në muajt e fundit, duke i sulmuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë, sipas Kuzanit.

“Formimi i fushëbetejës, posaçërisht në jug, është duke ndodhur tashmë. Ukraina ka armë për ta sulmuar vazhdimisht mbrojtjen kryesore ajrore të Rusisë”, tha ai.

Pilotët dhe mirëmbajtja

Trajnimet do të jenë vendimtare. “Mund të kesh shumë avionë luftarakë të shpejtë, por nëse ata nuk kanë armë efektive dhe ekuipazh për t’i përdorur ata me taktika efektive, atëherë ata do të rrëzohen me shumicë”, tha Bronk. Kohëzgjatja e trajnimit të pilotëve ukrainas për përdorimin e avionëve F-16 ka qenë tema kryesore e bisedimeve për dërgimin e më shumë se 70 avionëve luftarakë që i janë premtuar Ukrainës.

Deri në fund të këtij viti, Ukraina pret t’i ketë së paku 20 pilotë të gatshëm për t’i fluturuar avionët F-16, thotë Ustinova. Sipas saj, në fillim Ukraina do të ketë më shumë avionë F-16 sesa pilotë të kualifikuar./REL