Modeli që nënat transmetojnë tek vajzat e tyre ishte tema e diskutimit mëngjesin e kësaj të marte në “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Secila prej të ftuarave solli në studio shembullin e prindërimit të mamasë së saj, në të njëjtën kohë treguan pak dhe për rolin e tyre si nëna dhe marrëdhënien që kanë më fëmijët e tyre.

Duke folur për orientimin që prindërit u bëjnë fëmijëve për të zgjedhur rrugën e duhur, dermo-estetistja Denisa Zhegu tregoi një histori të sajën personale. Ëndrra e saj ka qenë muzika, por orientimi i nënës së saj ka qenë krejt ndryshe dhe për këtë Denisa nuk shprehet e mërzitur aspak. Përkundrazi ajo thotë se disiplina e mamasë së saj e ka bërë atë që ajo është sot, duke i shprehur kështu falenderimet e përzemërta.

Denisa Zhegu: Kur isha e vogël kisha shumë ëndrra e shumë dëshira. Thoja do të bëhem këngëtare, unë kam një brez këngëtarësh. Zë mund të kisha, por nuk mund të dilja unë këngëtare. Nuk më linte mami e para. Më thoshte “Mirë Denisa ti je e vogël prit të rritesh dhe kur ta arrish një fazë pjekurie, që të marrësh vendimet vetë, unë do të shty drejt asaj rruge”. Pra ne duhet t’i udhëzojmë fëmijët tanë.

Sonila Sopoti: Po në moshën 18-20 vjeç je i pjekur. Për të ndjekur talentin tënd.

Denisa Zhegu: Sido që të jetë në moshën tonë, në brezin tonë ishte ndryshe. Në nuk ishim brezi i “iPhone” që të rrinim gjithë kohës të shihnim, ne ishim gjatë gjithë kohës me libra. Mami nuk të thoshte ti nuk do të vazhdosh, por që ti duhet të rritesh e të shohësh.

Violeta Dajçi: Nënat e mira këtë bëjnë që e drejtojnë fëmijën. Edhe nëse do të jenë 18 apo 20 vjeç, e nëse do t’i lësh që të zgjedhin vetë më vonë do të të bëjnë fajtore, do të të thonë “si nuk më drejtove”. Nuk di një 18-vjeçar, nuk e ka akoma shumë të qartë. Pra duhet që t’i drejtosh në disa baza.

Denisa Zhegu: Unë mora modelin e prindërimit të mamit tim. Unë kam qenë gjatë gjithë kohës e drejtuar. Nuk më linte të bëja atë që doja në fund të ditës.

Violeta Dajçi: Më pëlqen shumë mami jot.

Denisa Zhegu: Dhe mua më pëlqen sepse sot e kësaj dite unë e falenderoj për atë që jam sot./tvklan.al