Pak javë e ndajnë moderatoren e njohur që të marrë në prehër djalin e saj të dytë. Në muajin e nëntë të shtatzënisë, e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, Fatma Haxhialiu ndau me publikun emocionet e saj përgjatë kësaj periudhe.
Për një person si Fatma do të ishte dëshpëruese të duash të bësh shumë gjëra, të shpalosësh energjitë dhe idetë e tua, dhe në fund të mos kesh mundësi t’i realizosh ato. Siç thotë vetë moderatorja “kur trupi nuk i përgjigjet mendjes”, dhe duke përjetuar këtë ndjesi çdo ditë, Fatma tregon se 3 muajt e parë të shtatzënisë për të kanë qenë shumë të vështirë. Por, falë mbështetjes së familjes dhe partnerit të saj, kjo periudhë kaloi, duke u lënë vendin momente të bukura.
“3 muajt e parë kanë qenë shumë të vështirë për mua. Ka qenë një verë shumë e nxehtë dhe nga fakti që unë vuaj nga tensioni i ulët. Është gjë e mirë në shtatzëni, por në fillim është shumë e vështirë dhe kam pasur shumë këputje, marrje mendsh, të përziera. Ajo që vuaja më shumë ishte fakti që nuk ndjehesha vetja ime. Pra nuk kisha atë energjinë që kam gjithmonë për të bërë gjërat e mia, për të ndjekur ritmin e jetës që kisha. Fillimisht e përjetova sepse befas nga një jetë shumë aktive, nga shumë gjëra që ti bën njëkohësisht, ti befas nuk ke mundësi. Trupi jot nuk i përgjigjet trurit tënd dhe nuk ke mundësi që të bësh këto gjëra. Pastaj e mora më shtruar, thashë “ok kjo pjesë do të kalojë” dhe siç e thashë është shumë e rëndësishme mbështetja e partnerit që ke në krah njerëzit që të qëndrojnë afër dhe që e kuptojnë shumë mirë që nuk është as përkëdhelje sepse ndonjëherë edhe keqkuptohet kushtet fizike, sidomos të grave shtatzëna. “Hë se po përkëdhelesh”, “hë se dhe ne kemi qenë shtatzëna”, nga këto historitë që janë shumë të shëmtuara për t’u dëgjuar, sidomos që dikush me të vetën po kalon një gjë të vështirë. Shto pastaj këto paragjykimet dhe fjalët e tepërta. Unë them nëse nuk ke një gjë të mirë për të thënë, më mirë lëre rehat tjetrin, ta heqë vetë sikletin. Por, unë kam qenë shumë me fat sepse kam pasur gjithë sportin e familjarëve të mi dhe të partnerit. Kjo gjë bëri që të kalonte më mirë gjithë kjo gjë”, tregoi moderatorja./tvklan.al