Parku Kombëtar Tatra, i vendosur në zemër të maleve polake, u vizitua nga një rekord prej 4.9 milionë vizitorësh në vitin 2024.
Shifrat e reja tregojnë se shumica e vizitorëve në zonë e nisin udhëtimin e tyre në Zakopane, një qytet turistik popullor në rajonin e Podhales, që ndodhet vetëm 100 kilometra në jug të Krakovës.
Qyteti shërben si një portë për disa nga pikat më të vizituara të maleve Tatra, duke përfshirë Morskie Oko, një liqen piktoresk dhe Kasprowy Wierch, një majë malore e arritshme me teleferik.
Sipas statistikave, parku kombëtar tërhoqi 400,000 vizitorë më shumë në vitin 2024 se një vit më parë, duke shënuar një rritje prej afro 9%. Numrat tregojnë se ky rajon mahnitës në Poloni është më popullor se disa nga mrekullitë natyrore më të njohura në botë.
Szymon Ziobrowski, drejtor i Parkut Kombëtar Tatra, tha se nuk ishte i befasuar nga shifrat rekord të turistëve.
“Unë nuk jam i befasuar nga numri i vizitorëve. Mjafton të shkosh në liqenin Morskie Oko për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ajo që përjeton dikush duke u ngjitur në Morskie Oko, mendoj se është një përvojë vërtet e mrekullueshme”.
Ai rendit arsyet se pse Parku Kombëtar Tatra është kaq i veçantë.
“Në Poloni, malet Tatra janë unike dhe të veçanta. Unë i quaj të veçantë jo pa arsye. Në Alpe, ju ecni nëpër një luginë gjatë gjithë ditës, e cila mund të jetë paksa e mundimshme. Ndërsa në Tatra mund të kaloni shumë lugina brenda vetëm disa orësh”.
Ziobrowski theksoi gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të ruajtjes, duke thënë se në vitet e fundit, parku kishte zgjeruar zonat e tij të mbrojtura me mbi 2,000 hektarë për të minimizuar ndikimin e njerëzve në peisazh.
Që nga fillimi i nismës, e cila konsiston kryesisht në ripyllëzimin e disa zonave, është vërejtur një çift i ri shqiponjash, një shenjë pozitive për Ziobrowskin dhe një tregues se sektori i turizmit zhvillohet në harmoni me natyrën.
“Disa vite më parë, ne rritëm numrin e zonave të mbrojtura në park me më shumë se 2000 hektarë, kështu që eliminuam aktivitetet njerëzore atje. Rimbollëm pemë dhe vumë re se u shfaq çifti i dyte i shqiponjave”.
Turistët në këtë park vijnë nga Sllovakia, Hungaria dhe Republika Çeke.
“Shumica e turistëve në Podhale janë nga Sllovakia, Hungaria dhe Republika Çeke. Ata përbëjnë shumicën. Por kur linjat ajrore nisën fluturimet midis Polonisë dhe vendet arabe, ne kemi vënë re edhe turistë nga këto shtete”.
Popullariteti i Parkut Kombëtar Tatra në Poloni i ka kaluar ato në SHBA.
Shërbimi i Parkut Kombëtar të SHBA-së regjistroi më pak vizitorë në vitin 2023 në disa prej parqeve të tij ikonë: 4.73 milionë në Grand Canyon, 4.5 milionë në Yellowstone dhe 3.89 milionë në Yosemite në Kaliforni.
Klan News