Jo vetëm e njohur si një stiliste e suksesshme, por Blerina Kllokoqi Rugova është njëkohësisht dhe bashkëshortja e djalit të Presidentit Ibrahim Rugova, Mendim Rugovës. Në studion e “Rudina” në Tv Klan stilistja shprehet se ndjehet shumë krenare që mban këtë mbiemër.

Edhe pse fatkeqësisht nuk arriti që ta takonte personalisht Presidentin Rugova, ajo shprehet se është rritur me emrin dhe frymën e tij. Teksa thotë me tej se porosinë që u jep dy fëmijëve të saj është që të tregohen sa më të kujdesshëm për veprimet e tyre në emër të familjes Rugova.

Rudina Magjistari: Blerina Kllokoqi Rugova është një mbiemër shumë i rëndësishëm që ti mban.

Blerina Kllokoqi Rugova: Është një mbiemër që mbaj me krenari.

Rudina Magjistari: Pa diskutim, jam kurioze të di sepse ti kur je njohur me djalin e Ibrahim Rugovës, a ke pasur mundësi ta njohësh Presidentin vetë.

Blerina Kllokoqi Rugova: Jo Presidenti ka ndërruar jetë në Janar të vitit 2006, ndërsa unë e kam takuar Mendimin në Shkurt të 2006, në të njëjtin vit vetëm një muaj më pas. Deri në atë kohë fëmijët e presidentit kanë qenë të izoluar për arsye sigurie dhe kështu që në momentin që ka dalë e kam takuar. Kam qenë personi i duhur në momentin e duhur. Në Mars të vitit 2007 kemi bërë një fejesë familjare, domethënë vetëm familja e ngushtë, kam qenë 20 vjeçe.

Rudina Magjustari: Ishe në kohën e studimeve apo jo?

Blerina Kllokoqi Rugova: Po.

Rudina Magjistari: Ishe me studime dhe ndërkohë njohe dashurinë e jetës tënde. A e ke pasur peng që nuk ke pasur mundësi ta takoje Presidentin?

Blerina Kllokoqi Rugova: Po normale ne jemi rritur me të, në çdo shtëpi tonën ka frymuar dhe emri i Presidentit Rugova, ne jemi rritur me emrin e tij.

Rudina Magjistari: Çfarë përgjegjësie ndjen ti edhe pse nuk e ke takuar vetë atë, sepse duket sikur e përfaqëson gjatë gjithë kohës?

Blerina Kllokoqi Rugova: Është një përgjegjësi shumë e madhe. Unë kam qenë e para që kam pasur kontakt direkt me publikun edhe me njerëz, ka qenë një sfidë shumë e madhe. Të jesh nusja e Presidentit Rugova është se aq sa ke përgjegjësi shumë të mëdha, ke dhe penalitete. Duhet të jesh shumë e kujdesshme dhe të dish të sillesh me njerëzit, duhet të jesh shumë e kujdesshme në çdo sekondë, në çdo veprim tëndin. Unë edhe fëmijëve gjithmonë u them kujdes se çfarë po bën se nuk e bën për vete, po e bën për Presidentin, për emrin e familjes. Emri i familjes është më i madh se sa emri im.

Rudina Magjistari: Kur hyre në atë shtëpi si u ndjeve?

Blerina Kllokoqi Rugova: Më është dukur si një ëndërr. Në shtëpi edhe muret flasin, në shtëpi çdo cep ka se çfarë tregon, është sikundërse një muze, që mendoj se ka për t’u hapur edhe si muze për t’u vizituar./tvklan.al