Trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha është nxjerrë nga gremina. Trupi i 43-vjeçarit i cili u gjet i mbuluar me zhavorr mes maleve të fshatit Qafë Mollë, në zonën e Dajtit, u nxorr pas mbërritjes së forcave RENEA. Biznesmeni u gjet i vrarë në këtë zonë, dy javë pasi rezultonte i zhdukur.
Grupi hetimor është i paqartë për motivet e krimit, por njoftoi se ka vënë në pranga me akuzë zyrtare Fredi Rrushin, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.
Kanë qenë një kamera sigurie në një nga bizneset e vetme në zonën ku u rrëmbye Hoxha, që kanë kapur makinën e Fredi Rrushit për herë të fundit, duke drejtuar grupin hetimor drejt Qafë Mollës, aty ku u kryen disa ditë kërkime.
Qentë gjurmues gjetën fillimisht xhupin e 43-vjeçarit me gjak dhe më tej nëpërmjet kontrolleve, në këtë vend u gjet i mbuluar me zhavorr trupi i pajetë.
Nga çfarë është vërtetuar deri më tani, rezulton se Ruzhdi Hoxha ka qenë duke konsumuar kafe mbrëmjen e 20 Tetorit në një lokal në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Me të kanë qenë edhe 4 persona të tjerë, mes tyre edhe Ferdinand Rrushi. Ky i fundit e ka marrë në makinë dhe më tej është nisur në drejtim të Dajtit.
Megjithatë Rrushi ka mohuar të ketë gisht në rrëmbim dhe vrasjen e 43-vjeçarit, duke pretenduar para hetuesve se e kishte lënë atë në zonën e njohur si “Treshi” pa hyrë në Kamzë. Por ky version u rrëzua nga hetimet.
Policia ende nuk ka mundur të gjejë makinën me të cilën lëvizën viktima dhe vrasësi i tij. Dyshohet se shkak i vrasjes janë borxhet, por edhe aktiviteti i paligjshëm i kultivimit të kanabisit, pasi nga kontrollet u gjet edhe një parcelë me bimë narkotike, që dyshohet se është në pronësi të Fredi Rrushit./tvklan.al