Organizata Botërore e Shëndetësisë konstaton se 1 në 10 adoleshentë të moshës 15-vjeçare në Europë kanë përdorur të një herë kanabis gjatë jetës së tyre. Edhe Shqipëria qëndron pothuajse në të njëjtat shifra të raportit të OBSH për përdorimin e substancave të ndaluara, por ajo që vihet re në vendin tonë është që përdorimi i kanabisit është më i përhapur tek djemtë sesa tek vajzat.
“Studim i cili kryhet çdo katër vjet, edhe për ne është raundi i 4. Është një vlerësim që është bërë vetëm për moshën 15 vjeç dhe Shqipëria ndodhet në vend të 34 nëse ka pirë ndonjëherë në jetë kanabis dhe në vend të 25 me përdorimin aktual. Në përdorimin gjatë gjithë jetës jemi në shifrat 11 % për djemtë, por krahasuar me të rinjtë në Europë nuk është shqetësimi kryesor”, tha specialistja e ISHP, Genta Qirjako.
Sipas raportit të OBSH për Europën, prevalenca e përgjithshme e përdorimit të kanabisit gjatë gjithë jetës u ul lehtë midis 2018 dhe 2022, nga 14% në 12%, por përdorimi aktual mbeti i qëndrueshëm në 7%. Raporti thekson se përdorimi i kanabisit gjatë gjithë jetës për djemtë ishte më i zakonshëm tek adoleshentët nga familjet me pasuri të lartë dhe të ulët sesa tek ata me pasuri mesatare.
Tv Klan