OKB-ja ka deklaruar se pothuajse 450 mijë palestinezë janë larguar nga Rafah gjatë javës së kaluar pasi tanket izraelite raportohet se kanë hyrë në qytetin jugor të Gazës. Ndërkohë, ushtria izraelite ka thënë se po vazhdojnë operacionet kundër objektivave terroriste në lindje të qytetit, ku ishin strehuar më shumë se 1 milion njerëz.
“Njerëzit përballen me lodhje të vazhdueshme, uri dhe frikë,” paralajmëroi agjencia e OKB-së për gjendjen e palestinezëve.
Trupat izraelite janë kthyer në zonat e Zeitun dhe Jabalia, ku ushtria thotë se Hamasi është rigrupuar vetëm pesë muaj pasi pretendoi se kishte çmontuar batalionet lokale të grupit. Ushtria urdhëroi civilët të evakuonin Rafahun lindor dhe Jabalia për sigurinë e tyre përpara se të fillonin sulmet, por totali i të zhvendosurve ditët e fundit është i barabartë me pothuajse një të katërtën e popullsisë së Gazës.
Zëdhënësja e UNRWA, Louise Waterridge, e cila ndodhet në Rafah, shkroi në rrjetin social “X” se familjet ishin duke lëvizur sa më shumë në perëndim të ishte e mundur dhe kishin ngritur tenda në plazhet përgjatë bregdetit të Mesdheut. Ajo tha se Rafah është tanimë si një qytet fantazmë.
Palestinezët ndërkohë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se tanket izraelite po përparonin më thellë në zonat e banuara në juglindje të Rafahut dhe kishin kaluar rrugën kryesore veri-jug për në vendkalimin afër Rafahut me Egjiptin, të cilin trupat izraelite e morën nën kontroll të martën.
Kujtojmë se Izraeli nisi një fushatë ushtarake për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit ndërkufitar të grupit në Izraelin jugor më 7 Tetor, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz u vranë dhe 252 të tjerë u morën peng. Më shumë se 35,170 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, duke përfshirë 82 në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi./tvklan.al