Ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe ai i Kulturës Ylli Pango u janë përgjigjur akuzave të opozitës në parlament, në lidhje me planin e bregdetit të jugut, duke i quajtur ato si spekulime dhe duke shpjeguar se gjurmën e bregut të jugut e përcakton pushteti vendor.
Sokol Olldashi: “Gjurmët, ndërtimet, mënyrën si do të zhvillohet, me sa kate, në ç’formë këtë do ta përcaktojnë një zgjedhje e qeverisjes vendore. Nuk është një detyrë në të cilën ministria ka mundësi të influencojë, nuk është një detyrë me të cilën ne jemi marrë apo kemi në mënd të merremi. Problemi është që ata kanë një ngërç të madh sot, një ngërç që nuk është i joni është i tyri, por atë ngërç nuk mund ta kapërcejnë duke u marrë me probleme të tjera”.
Ylli Pango: “Ndryshe nga plani klientelist i bërë në bashkëpunim me një firmë të huaj, me shpejtësi në prag të zgjedhjeve 2005-ës i cili përcaktonte se ku duhet të ishin njollat e zhvillimit sipas interesave të Artan Lames me shokë, që sot del pa pikë turpi të flasi mbasi ka shkatërruar gjithë bregdetin shqiptar. Në dallim nga kjo nuk është dhënë absolutisht, absolutisht asnjë zonë e përcaktuar ku duhet zhvilluar, nuk është thënë absolutisht që do të zhvillohet në këtë apo atë fshat po përkundrazi është lënë në kompetencë të pushtetit lokal”.
Duke shprehur bindjen për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2009, Ministri Pango tha se në mandatin e dytë plani do të realizohet në të gjithë zonat e bregdetit./tvklan.al
Operator: Enver Shehu