Ky është Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Imazhi i tij i fundit vjen pas arrestimit në Spanjë, nga autoritetet shqiptare dhe homologët.
Siç duket pamja e tij ka ndryshuar nga koha kur ndodhej në Shqipëri. Berisha shfaqet me mjekër të bardhë, me syze dhe tatuazhe.
43-vjeçari u ndalua në një ishull në Spanjë, në afërsi të Valencias. Berisha fshihej atje me letra të falsifikuara bullgare, ndërsa për disa kohë qëndroi edhe në Dubai.
Ai rezulton në kërkim ndërkombëtar që nga viti 2020 pas hetimeve nga SPAK që e akuzoi si të dyshuar në përfshirjen e vrasjes së Klodian Saliu në vitin 2005.
Përveç hetimeve që po kryhen nga SPAK ndaj, Berishës ka dhe një vendim për rikthimin e tij në qeli, pasi u lirua në vitin 2016. Në 27 maj të vitit të shkuar Gjykata Kushtetuese, teksa Berisha ndodhej në kërkim ndërkombëtar la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë, që u dha në 7 dhjetor të 2021, e cila vendosi për rikthimin e tij në burg.
Lul Berisha fillimisht u arrestua në vitin 2006, ku ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë ngriti 10 akuza ndaj tij, si i dyshuar për krijimin e një organizate kriminale dhe kryerjen e një seri vrasjesh dhe atentatesh, gjatë viteve 1998-1999.
6 vite pas arrestimit të tij, konkretisht në 2012 Berisha u dënua me burg përjetë nga ish-Gjykata e krimeve të rënda.
Edhe Apeli i caktoi atëherë burg përjetë, por në vitin 2014, Gjykata e Lartë rrëzoi këtë dënim, duke i caktuar 25 vite heqje lirie.
Pasi kreu 10 vite e 8 muaj burg, Lulzim Berisha u lirua me kusht. Ai paraqiti raporte si i dënuar i rehabilituar dhe një garanci punësimi nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako tashmë i arrestuar nga SPAK.
Për ndalimin e Lulzim Berishës, reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili në një status në rrjetet sociale tha se sundimi i ligjit do godasë këdo, dhe se pandëshkueshmëria do të marrë fund.
Klan News