Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Blendi Fevziu: “Unë e ndoqa sot në mëngjes nga shtypi i ditës, nuk pata rastin t’a përcjell dje direkt, më duket se ministri i rendit ka bërë një aludim për lidhjet e krimit me median dhe me politikën njëkohësisht, besoj se po krijohet një stil në politikën shqiptare krejtësisht shumë i dëmshëm natyrisht, por edhe abuzive, sipas të cilit lëshohen deklarata evazive, jo konkrete, por që kanë një peshë shumë të rëndë brenda tyre, një ngarkesë shumë të rëndë brenda tyre, në qoftë se ka media të lidhura me krimin dhe në qoftë se ministri ka të dhëna dhe në qoftë se prokuroria ka të dhëna dhe duhet të ketë, sepse ndryshe deklaratat nuk mund të bëhen pa të dhëna, absolutisht duhet vënë emri, kush janë, personat përgjegjës, ç’lidhje kanë me krimin dhe si janë infiltruar në media. Këto deklarata që iu ngjajnë atyre shashkave, bombave mësimore të dikurshme që hidheshin për zhurmë, apo për tym, pa pasur asnjë lloj, pa pasur efektin e vërtetë, besoj që nuk janë normale. Le të thuhen gjërat konkretisht, kush janë politikanët që janë të lidhur me krimin, ose cili është ai krim që është i lidhur me politikën, me të cilin segment të politikës, me cilët politikanë konkretisht, cilat janë ato media të lidhura me krimin, cilët gazetarë, ose pronar mediash. Kjo është zgjidhja më e mirë për të qenë transparent dhe jo për të hedhur dyshime në përgjithësi.”

Mero Baze: “Mendoj se është një deklaratë, e cila reflekton mungesën e përgjegjësisë së institucionit më të lartë në Shqipëri për ruajtjen e rendit që është ministria e rendit. Është mendoja në vazhdën e përpjekjeve që bëhen për të relativizuar autoritetin e shtypit, për t’ia ulur aturoritetin asaj pjese të shtypit, e cila e denoncon dhe e lufton krimin e organizuar në Shqipëri, unë nuk përjashtojë rastet që ndonjëherë media shqiptare mund të përdoret nga krimi i organizuar, por në 100% të rasteve kur është përdorur gjithmonë ka qenë policia, ose segmente të policisë, i vetmi rast i fundit kur media është përballur me krimin e organizuar, më i freskëti është atentat i sigurt përpara një televizioni shqiptar, ku një koleg i joni i shpëtoi për mrekulli vdekjes së bashku me dy të ftuarit e vetë, në sytë e policisë që bënin sikur nuk shikonin atentatorët. Në qoftë se ka diçka për të thënë ministri i rendit, duhet të thojë pikërisht për këtë atentat që policia e rendit nuk po flet. Mendoj që në qoftë se ka ndonjë depërtim të krimit të organizuar në strukturat e shtetit shqiptar, nuk është detyra e medias shqiptare që të frenojë apo të ndalojë, këto emërime, më së miri është që të shikohet depërtimi i krimit në kolltukun e Ministrisë së Rendit.”

Preç Zogaj: “Në qoftë se nuk ka emra, nuk ka të dhëna konkrete, por flet në përgjithësi, siç është zakoni, siç ka folur dhe kryeministri, para nja një viti a dy vjetësh, thjesht për të krijuar një situatë të kriminalizimit të medias në përgjithësi dhe pasi ta kriminalizojmë në përgjithësi, kemi mundësi me godit ata që duam, atëherë kemi të bëjmë me një deklaratë politike të gabuar me qëllime të mbrapshta./tvklan.al