Opozita proteston sot sërish para Bashkisë së Tiranës. Tubuesit bllokuan rrugën para bashkisë dhe ngritën një podium të improvizuar ku flasin qytetarët dhe jo vetëm. Atje janë të pranishëm edhe përfaqësues të PD-së si Belind Këlliçi e Klevis Balliu.

Gazetari Enkel Xhangoli raportoi se autoritetet kanë marrë masa disi më të lehta krahasuar me protestat e shkuara. Megjithatë një kordon i policisë është formuar para godinës së bashkisë, pavarësisht se qytetarët nuk kanë shkuar aty. Deri më tani nuk raportohet për incidente.

Mes shoferëve të bllokuar dhe qytetarëve ka pasur debate, siç raportoi gazetari, por çdo gjë është lënë me kaq dhe nuk kanë agravuar në incidente.

Organizatorët e protestës shprehen se autoritetet janë vënë në dijeni për protestën. Sipas tyre ata nuk marrin masa qëllimisht për të krijuar incidente mes protestuesve dhe drejtuesve të mjeteve dhe për të krijuar kaos.

Kujtojmë se opozita proteston para bashkisë prej muajsh dhe kërkon largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj./tvklan.al