Dy momente speciale e kthejnë sërish në Shqipëri këngëtaren italiane me origjinë shqiptare Anna Oxa. I pari moment i veçantë dhe emocionues, ishte pasaportizimi me shtetësinë shqiptare i dy fëmijëve të saj, Francesca dhe Qazim Belleno.

Këtë të hënë, në Bashkinë e Tiranës, me praninë e Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, dy fëmijët e artistes së mirënjohur u betuan për besnikëri ndaj shtetit shqiptar.

“Jam shumë e emocionuar për këtë moment sa mezi flas. Është një ndjesi absolute”, tha vajza e këngëtares, Francesca.

Jam shumë i kënaqur që jam këtu dhe që po bëjmë këtë hap të gjithë së bashku si familje”, tha djali i Anna Oxa-s, Qazimi.

Francesca Belleno

“Ishte një ëndërr, kemi bërë shumë. E kemi dashur shumë fort këtë moment dhe jam e lumtur që më në fund u realizua. Është një festë për mua ndaj gjurmëve të tim eti. Të jesh shqiptar është diçka që e ke brenda teje. Dhe duke qenë se kjo ndjesi është shumë e fortë, je gati të bësh edhe hapa”, u shpreh këngëtarja.

“Ky është një moment shumë i bukur sot, ku e gjithë familja bashkohet dhe tashmë janë të 3 shqiptarë”, tha moderatori Ardit Gjebrea.

Qazim Belleno

Emocionet vijuan edhe në Presidencë, aty ku kreu i shtetit, Bajram Begaj, dekretoi shtetësinë shqiptare të fëmijëve të artistes.

Por emocionet nuk ndalen këtu për të.

Krah mikut të saj të vjetër, artistit dhe moderatorit Ardit Gjebrea, Anna Oxa ndau lajmin se do të performojë sonte përpara publikut shqiptar, në eventin më të madh sportiv në vend, “Topi i Artë”. Aktivitet ky që do të moderohet nga Ardit Gjebrea dhe modelja Almeda Abazi dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Tv Klan.

“Është nder dhe për të gjithë ne që ta kemi sonte në Topi i Artë dhe që vetëm siç di ajo, do të sjellë emocionin e dy këngëve shumë të famshme, që nuk po i zbuloj”, tha Gjebrea.

“Raporti dhe miqësia me Arditin është shumë e thellë, që zgjat në shumë vite. Kështu që Arditi më ka parë të rritem. Këtë zhvillim dhe rritje deri ku kam arritur sot, me një kontribut edhe nga ana e tij. Është vërtetë special”, u shpreh këngëtarja Anna Oxa.

5 vite më parë, sërish përkrah Ardit Gjebreas në “E Diela Shqiptare”, Anna Oxa u surprizua me pasaportën shqiptare nga Kryeministri Edi Rama, në vendlindjen e babait të saj në Krujë.

Anna Oxa, e lindur me emrin Ana Hoxha, e ka nisur karrierën që kur ajo ishte 17 vjeç, në skenën e festivalit emblemë të Sanremos, ku është shpallur fituese dy herë. Numëron dhjetëra çmime të tjera, këngë që janë kthyer hite. Vetë artistja gjithmonë ka qenë një zë i fortë mbështetës për Shqipërinë dhe shqiptarët në Italinë fqinje.

Tv Klan