Dy fëmijët e këngëtares së njohur me origjinë shqiptare, Ana Oxa, kanë marrë nënshtetësinë shqiptare. Të shoqëruar nga kengetarja Ana Oxa dhe kantautori Ardit Gjebrea, Qazim Belleno dhe Francesca Belleno u betuan para kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si shtetasit më të rinj.

“Jam shumë i lumtur që Ana ka insistuar që dy fëmijët e saj të marrin shtetësinë shqiptare dhe më kujton atë kohë të vjeter, kur shumë prej nesh linin shtetësinë shqiptare për të marrë një shtetësi të huaj. Kohët kanë ndryshuar, ndaj sot jam shumë i lumtur që kemi dy shtetas të rinj dhe dy qytetarë të rinj të Tiranës. Shumë suksese dhe shumë urime”, u shpreh Erion Veliaj.

Këngëtarja Ana Oxa deklaroi se ky nderim është shumë i rëndësishëm për familjen e saj, e cila rrënjët i ka këtu në Shqipëri.

“Unë kam qenë gjithmonë shqiptare. Mjaftonte përfundimi i këtij procesi për të sjellë edhe fëmijët e mi dhe mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm për mua, sepse përtej asaj që mund të nënkuptojë një pasaportë, ka një kuptim më të thellë. Është një nderim për jetën, historinë dhe trashëgiminë e një populli përmes babait tim”, tha Ana Oxa.

Ndërsa vetë këngëtarja Ana Oxa e ka marrë nënshtetësinë shqiptare në vitin 2020.

Klan News