Këtë vit në Shqipëri do të mblidhen bashkë postat e Europës. Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të PostEurop, Botond Szebeny, kryebahskiaku Erion Veliaj u ndal tek rëndësia e shërbimit postar jo vetëm për moshën e tretë, por edhe për zgjedhjet e 11 Majit ku pjesëmarrës në votime do të jetë edhe diaspora.
“Jemi vërtet të nderuar sepse asambleja juaj e përgjithshme do të jetë këtë Tetor në Tiranë dhe jam krenar që keni zgjedhur qytetin tonë. Posta Shqiptare, gjithashtu edhe Posta Europiane, ka rishpikur veten me kolipostën, me dërgesat, po e shikojmë me procesin tonë zgjedhor, ku diaspora do të votojë me postë. Posta ka një pafundësi shërbimesh që mund të ofrojë. Sot po shikojmë se si me postën mund të shpërndajmë edhe abonenë e autobusit, që të jetë sa më e thjeshtë për të moshuarit, gjyshërit dhe gjyshet.”
Këtë vit, tha Veliaj, Tirana do të presë edhe dy ngjarje të rëndësishme Giro d’Italia dhe Këshilli Politik Europian.
“Këtë vit Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Ne do të presim Giro d’Italia, e cila ka zgjedhur Shqipërinë për të filluar këtë eksperiencë të jashtëzakonshme. Këshilli Politik Europian, mbas Budapestit, transferohet gjithashtu në Tiranë në mes të Majit. Ju jeni qershia mbi tortë në fund, edhe mezi pres që gjithë postat e Europës të kenë një eksperiencë të jashtëzakonshme në Tiranë, të jetë edhe një mundësi për të prezantuar qytetin që ka ndryshuar më shumë në të gjithë Europën në këto 10 vitet e fundit.”
Sekretari i Përgjithshëm i PostEurop, Botond Szebeny shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Bashkia e Tiranës ka dhënë për eventin në Tetor 2025.
Tv Klan