Pak muaj nga starti i “Giro d’Italia” që këtë vit do të nisë nga vendi ynë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Presidentin e Federatës Evropiane të Çiklizmit, Enrico Della Casa.
Teksa i dhuroi atij Kullën e Sahatit, kryebashkiaku e siguroi se Tirana do të bëjë gjithçka që të shkëlqejë në organizimin e eventit.
“Do bëjmë maksimumin që eksperienca e Tiranës, jo vetëm nga ana e infrastrukturës, por nga ana e kulturës, kulinarisë, artit, këtë vit që jemi edhe Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, të shkëlqejmë”, tha Veliaj.
Për presidentin e Federatës Evropiane te Çiklizmit, Enrico Della Casa, “Giro d’Italia” është një vitrinë shumë e rëndësishme.
“Është një shkëmbim tejet i rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Italisë, ndaj do të doja të falënderoja Tiranën për mikpritjen që ju do rezervoni për çiklizmin botëror. Është një projekt që do të vazhdojë gjatë dhe një vizion për çiklizmin. Duke parë qytetin tuaj, të projektuar me këto korsi biçikletash, do të thotë që jeni në rrugën e duhur, në rrugën e çiklizmit”, tha ai.
Ndërsa kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, u shpreh se Tirana është kthyer në qytetin e parë në Evropë për aktivitete ndërkombëtare sportive.
Tv Klan