Remontet në kabinat e nënstacioneve elektrike do të vazhdojnë edhe për gjatë muajit shtator. Specialistë nga operatori i sistemit të shpërndarjes thanë për televizionin Klan se deri tani është kryer më shumë se gjysma e remonteve të planifikuara.
Xhovani Reveli: “Programi i remonteve përfundon në fund të muajit shtator dhe deri tani në shkallë vendi janë kryer rreth 55% të remonteve të kabinave dhe 60% remonteve të linjave të tensionit të mesëm, tensionit të ulët, kabllore, ajrore. Në orare të ndryshme një orë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 14, me kohëzgjatje 1 orë deri në 2 orë në pjesë të ndryshme të fibrave, në pjesë të ndryshme të zonave të nënstacioneve do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.”
Përfundimi remonteve presupozon garantimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike gjatë dimrit. Por sa kaq OSSH ka planifikuar që në vijim të remonteve të nisë fazën e investimeve në rrjetin e shpërndarjes. Çka do të thotë se ndërprerjet e energjisë do të vazhdojnë edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, sidomos në zonat periferike.
Xhovani Reveli: “Ndërprerjet do të vazhdojnë jo vetëm për shkak te remonteve të cilat përfundojnë në muajin shtator edhe do të garantojnë nga ana teknike furnizimin e energjisë së konsumatorëve, por do të vazhdojnë edhe për shkak të investimeve që kryhen. Investimet janë në të gjithë Shqipërinë, Tirana është e përqendruar në zonën e Kamzës, Bathores, në pjesën e Qesarakës që do të fillojë së shpejti dhe në dy projekte të mëdha që kemi në zonën e Kasharit dhe në Selitë. Për investimet në varësi të procesit të punës, këto ndërprerjeje nuk duhet të jenë më të gjera se 4 orë, por jo më të vogla se 2 orë. Këto do të vazhdojnë deri në fund të vitit dhe gjysmën e parë të vitit tjetër.”
I pyetur nëse remontet janë një pretekst për të kufizuar furnizimin me energji elektrike, kryeinxhinieri i OSSH-së u përgjigj:
Xhovani Reveli: “Nuk ka aspak kufizime dhe ndërprerje për shkak të kursimeve që ne mund të bëjmë për energjinë elektrike. Konsumi i Tiranës është gjithmonë në rritje dhe këto remonte janë probleme teknike që duhen zbatuar.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro