Faturimi i energjisë së konsumuar gjatë Dhjetorit të 2009 me tarifat e reja të Janarit nuk është problemi i vetëm që kanë qytetarët me OSSH-në.
Në zyrat e mbrojtjes së konsumatorit këto ditë kanë mbërritur mjaft ankesa nga ana e konsumatorëve të cilët janë faturuar jo për 30 ditë, por për 40 ditë çka rrit artificialisht pagesën mujore.
Për drejtuesin e ZMK-së kjo është një tjetër vjedhje e hapur e OSSH karshi shqiptarëve.
Altin Goxhaj: “Kemi të dhënat konkrete që prapë po vazhdon mashtrimi, prapë po vazhdon vjedhja, ku kanë caktuar muaj që zgjasin nga 40 ditë. Një muaj fillon në datën 20 të një muaji paraardhës dhe mbaron në datën 30 apo 28 të muajit pasardhës dhe një muaj në qoftë se zgjat 40 ditë sipas ligjit që ju e dini, në qoftë se një limit është 300 kilovat/orë në këtë rast qytetari, konsumatori duhet të paguajë shumë më tepër dhe kjo është prapë një lloj vjedhje me anë të mashtrimit që po bën OSSH.”
Qytetari 1: “E futin normën e sahatit kot, sahati shkruan 6582 tani sahati i atij shkruan 3100.”
Qytetari 2: “As nuk vjen njeri ta shohë sahatin as asnjë gjë farë. Nuk do t’ia dijë kush.”
Edhe Enti Rregullator i Energjisë e konsideroi abuzive faturimin e kryer nga OSSH, e cila ka pranuar tashmë vjedhjen si me anë të mbi faturimit ashtu dhe të tarifimit me çmime më të larta duke bërë me faj faturistët e vet.
Bujar Nepravishta: “Është e padrejtëqë qytetarët konsumin e energjisë elektrike në ditët e dhjetorit ta paguajnë me çmimet e Janarit. I jemi drejtuar zyrtarisht OSSH që të gjithë diferencën e pagesës mbi atë që i takon duhet të kompensohet nga ana e OSSH në muajt në vazhdim.”
ZMK i kërkon këtij enti të mos mjaftohet me konstatime dhe t’i drejtohet prokurorisë për këtë vjedhje të kryer në kurriz të konsumatorëve shqiptare.
Altin Goxhaj: “Është njësoj si një xhepist në një autobus vjedh dikë, e kapin dhe ai duhet që të kthejë lekët. Jo ato e marrin dhe e fusin në polici dhe pastaj e fusin në burg. Po ashtu edhe OSSH, përgjegjësit e OSSH, drejtuesit e OSSH meritojnë pikërisht një çështje penale dhe ERE vepron shumë gabim që kërkon thjesht dëmshpërblim. Ajo duhet të zbatojë ligjin pra ti akuzojë për vjedhje.”
Një muaj më parë ZMK depozitoi pranë prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal ndaj drejtuesve të OSSH për vjedhje me anë të mashtrimit, megjithatë konsumatorët vazhdojnë të përballen me fatura tejet të kripura të energjisë.
Altin Goxhaj: “Apo siç kemi një rast tjetër që sapo na ka ardhur nuk ka qenë fare në Shqipëri, ka 1 vit që nuk ka qenë kanë sjellë 1 milion e sa lek faturë.”
Fjorald Zguro: “A keni ndonjë përllogaritje sa mund të shkojë në total dëmi që i është bërë konsumatorëve shqiptar në këtë formë vjedhje sipas jush?”
Altin Goxhaj: “Këtu me vjen keq është e pallogaritshme, dëmi është jashtëzakonisht shumë i madh. Këtu nuk thuhet fjalë, por thjesht qindra milion lekë, bëhet fjalë për miliona euro.”/tvklan.al