Menjëherë pas vendimit të qeverisë për përdorimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimit, shpërthen tregu i letrave me vlerë.
Vetëm në harkun kohor të një muaji vlera e bonove të privatizimit në tregun e lirë është më se e dyfishuar, nga 5-6% në fillim të qershorit në 13-14% ditën e sotme.
Kambistët e letrave me vlerë në kryeqytet pohojnë se nga dita në ditë, për shkak të kërkesës së madhe për blerje, përqindja e letrave me vlerë po rritet ndjeshëm.
Javën e kaluar këshilli i ministrave miratoi një projektligj sipas të cilit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren bonot e privatizimit.
Për sipërfaqet deri në 300 metra katrore mund të paguhet me letra me vlerë deri 80 % të detyrimit ndaj ALUIZNI-t, ndërsa për sipërfaqen mbi 300 metra katrorë pagesa me bonot e privatizimit është e vlefshme vetëm për 50 % të vlerës së tokës në treg.
Përfitues nga kjo nismë ligjore, nuk do të jenë vetëm personat që janë në proces legalizimi, por edhe ata që kanë kryer tashmë pagesën, këta të fundit do të mund të përfitojnë rimbursimin e shumës së paguar në lekë.
Por më parë do të duhet që ky ndryshim në ligjin e legalizimeve të marrë edhe miratimin e parlamentit të ri që do të mblidhet në shtator të këtij viti.
Deri në atë kohë parashikohet që vlera e bonove të privatizimit në treg të vijojë rritjen progresive./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro