Pajisja e qytetarëve me letërnjoftime elektronike do të mundësohet edhe për shtetasit që vuajnë dënimet në institucionet e burgjeve dhe të paraburgimit. Lajmin e konfirmon zëvendës drejtori i përgjithshëm i burgjeve Lulzim Kodra, i cili në një intervistë për televizionin Klan u shpreh se pajisja e të burgosurve me letërnjoftime elektronike do të implementohet së shpejti, sipas tij kjo do t’i shërbejë edhe procesit zgjedhor. 

Lulzim Kodra: “Absolutisht do të pajiset, siç ju thash në fillim ne jemi në marrëveshje me ministrinë e Brendshme, po bisedojmë tani për problemin e pagesës së tyre, kuotën e pagesës dhe ditë të caktuara nga grupet e ministrisë së Brendshme  për të shkuar në çdo institucion të bëjnë regjistrimin dhe identitetin e tyre të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit. Karta do të jetë si gjithë qytetarët e tjerë, do tu shërbejë dhe në jetë civile. Infrastruktura e këtyre zgjedhjeve organizohet dhe menaxhohet nga KQZ-ja, neve vëmë në dispozicion vetëm ambientet e zyrës, komisionerë të gjithë janë si në qendrat e tjera të zgjedhjeve do me thënë përfaqësuesit e tyre janë me forcat politike.”

Janë rreth 5060 të burgosur në të gjitha institucionet e vendimeve penale në Shqipëri, të cilët priten të shprehin vullnetin tyre në zgjedhjet e ardhshme të qershorit./tvklan.al

Gazetar: Julian Kasapi