Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Dështon organizimi i edicionit të tretë të panairit “Fiera del Levante”, i parashikuar për tu organizuar në Tiranë në muajin Qershor. Presidenti i “Fiera del Levantes”, Francesko Divella ka akuzuar drejtorin e Qendrës Ndërkombëtare te Kulturës për keqtrajtim në raport me organizatorët e tjerë të panairit në pagimin e qerasë.

Divella thekson se oferta ndaj tij rezulton të jetë shumë më e lartë se tarifat e praktikuara për organizatorët e tjerë të panaireve. Divella ka kërkuar gjithashtu ti vihet në dispozicion për këtë panair krejt sipërfaqja e QNK, por ka marrë njoftim se nuk mund të marrë më shumë se 800 m2. Në këto kushte ne tërhiqemi për organizimin e “Fiera del Levantes” në Shqipëri ka deklaruar Franceko Divella.

“Fiera del Levante”, ka organizuar në Shqipëri gjatë viteve 1998-1999 dy edicione panairesh. Edicioni i kaluar i panairit “Fiera del Levante”, solli në Tiranë kryeministrin Italian Masimo D’alema. Ky dhe kryeministri Majko e cilësuan këtë panair si urë lidhëse jo vetëm ekonomike por edhe politike mes dy vendeve.

Anullimi i këtij panairi ka të ngjarë të komentohet si një tjetër rast i pakëndshëm në vargun e incidenteve të fundit që kanë ftohur marrëdhëniet midis Tiranës dhe Romës./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame