Edhe sot Ministri i Bujqësisë nuk i ka kthyer përgjigje specialistëve të fushës dhe konsumatorëve shqiptarë sa të sigurta janë prodhimet e tokës, që tregtohen nëpër tregjet tona. Sot ai ishte në një fermë, ku i kënaqur ka parë dhe më pas edhe e shpjegon vetë se si domatet dhe kastravecat ambalozhohen dhe bëhen gati për shitje, madje edhe për eksporte. Ai gjithashtu ka thënë sot se këto produkte eksportohen në 18 vende të ndryshme dhe askush nuk është ankuar për prodhimet e marra nga Shqipëria.
Sigurisht që me këto takime e fermerët lushnjarë, ministri Panariti mundohet të sfumojë shqetësimet e ngritura nga vetë specialistët e fushës dhe konsumatorët shqiptarë, për përdorimin mbi normën e kimikateve të ndryshme në perime a produkte të tjera të tokës. Shqetësimet kanë të bëjnë kryesisht me mosmbajtjen në kontroll të vazhdueshëm të këtyre prodhimeve të procesit që nga mbjellja deri te shitja. Shqetësimet kanë të bëjnë gjithashtu me mos efiçensën e laboratorëve të ngritur dhe të inaguruar nga vetë ministri Panariti, i cili po vetë pohon pak kohë më pas se ato nuk punojnë, por do hapen së shpejti. Sot ministri tha se këto perime shkojnë në 18 vende. Këtë e pohuan për Klan edhe eksportuesit, por thanë gjithashtu se analizat e kryera në Shqipëri nuk pijnë ujë për në doganat e asnjërit prej vendeve ku eksportojnë. Por duhen bërë analiza dhe njëherë nga fillimi dhe ata duhet të presin në doganë përgjigjet e tyre. Këtë gjë, sot ministri nuk e përmendi fare. Ashtu si nuk përmendi edhe problemin që i mban akoma të bllokuara eksportet tona me vendet e BE-se,pikërisht për shkak të këtyre kontrolleve të cunguara. Që domatja dhe kastraveci prodhohen dhe ambalozhohen bukur për tu nxjerrë në shitjeë, këtë gjë e dinim dhe nuk është nevoja të na e tregojë sot ministri. Ajo çka presim nga ministri Panariti apo ministria si institucion është rritja e kontrolleve për sigurinë e produkteve që blejme çdo ditë dhe që eksportet shqiptare të njohin hapësira të reja. Por sigurisht, për të arritur këtë të dytën duhet bërë në fillim ajo e para.
Tv Klan