Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko ka përfunduar një vizitë zyrtare në SHBA. Në takimin me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes Rumsfeld, përveç konsideratës, për ndërveprimin e komandove shqiptare në Irak, me forcat amerikane të divizionit 101 në Mosul është shprehur dhe mbështetja për reformat në ushtrime grande financiare dhe asistencë konkrete. I sapo mbërritur në Shqipëri, ministri i mbrojtjes ka deklaruar në lidhje me këtë fakt.

Pandeli Majko:- “Kam pasur kënaqësinë ta jap vetë i pari lajmin, Kongresi Amerikan, sapo ka kaluar një ndihmë ekstra, nëse mund të quhet kështu, prej 3 milion dollarësh, mesa di ishte në procedurën përkatëse edhe në Senat dhe ndërkaq, ne jemi duke u orientuar edhe në momente të tjera, të cilat kanë të bëjnë me një bashkëpunim afatgjatë. Kësaj i shërbeu edhe firmosja në Pentagon të marrëveshjes për armët e dëmtimit në masë, i cili në efektin e vetë, ka një koncept jo dhe aq teknik, thjeshtë për armë të dëmtimit në masë. Diskutohen edhe marrëveshje të tjera në fushën e armatimit dhe municioneve dhe gjithsesi, besoj që në kohën ën vazhdim do të kemi surpriza të tjera, gjithmonë pozitive”.

Gjatë vizitës së delegacionit shqiptar, kryesuar nga ministri Majko, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, zhvilluan konsultime dypalëshe, në lidhje me luftën globale kundër terrorizmit. Siguria e kufijve në vendin tonë është diskutuar gjithashtu në bisedime me përfaqësues amerikan në strukturat e mbrojtjes. Ndërkohë, që në aeroportin shqiptar, për ministrin e mbrojtjes, gazetarët kanë formuluar menjëherë pyetjet e tyre, në lidhje me fatin e miratimit të marrëveshjes me Greqinë, për bazën ushtarake të Bishtit të Pallës.

Pandeli Majko:- “Mendoj që kjo do të zgjidhet në Parlamentin Shqiptar, unë shpresoj që debatet që nuk na shërben kjo bazë këtu, dmth. ky investim këtu në Shqipëri, nga një lloj le të themi, psikologjie dhe debatet, që nuk na shërben ta bëjmë këtë investim në Shqipëri, nga një lloj psikologjie në Greqi, do të anashkalohen me dashamirësi. Kam përshtypjen dhe kjo u vlerësua shumë në takimet e Pentagonit, Shqipëria aktualisht, pas 1912 ka situatën më të stabilizuar në kufijtë e vetë dhe dëshirojë të them, që u nënvizua fakti që me shumë forcë, i pikërisht i marrëdhënieve shumë të mira i fqinjësisë dhe sigurisë, që ne po ndërtojmë me vendet fqinj, me Italinë që as nuk vihet në diskutim, me Greqinë, sidomos edhe me marrëveshjet e fundit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes me Maqedoninë, me stërvitjet e përbashkëta dhe me nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale, po sigurisht nuk do të anashkalojmë as Kosovën, as dhe Malin e Zi”.

Në takim me Sekretarin Amerikan te Mbrojtjes Donald Rumsfeld, Ministri i Mbrojtjes Majko konfirmon, zhvillim të marrëdhënieve të mëtejshme. Konsultime dypalëshe në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve, do të realizohen sërish vitin që vjen, kësaj radhe në Shqipëri, por deri atëherë, për ministrin Majko janë të hapura edhe dritat jeshile për baza ushtarake amerikane në vendin tonë.

Pandeli Majko:- “Problemi i bazave ushtarake është një moment i cili është diskutuar, por sigurisht akoma nuk është një gjë, që varet thjeshtë dhe vetëm nga vendimi i qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Është në diskutim problematika e menaxhimit të bazave amerikane, mesa patëm informacion atje dhe pikërisht për këtë arsye, unë kam pasur mjaft takime intensive atje, qoftë me kongresmenë, pa anashkaluar ato në Pentagon dhe në Senatin Amerikan. U diskutua rreth kësaj problematike dhe siç e kam përmendur edhe në një intervistë dhënë në VOA, për ne është e rëndësishme që kemi krijuar një lobim nga më seriozët në këtë drejtim, si në kongres ashtu dhe senat”./tvklan.al