Në një audiencë të veçantë, Papa Françesku priti Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Delegacioni i kreut të komunitetit bektashinj, që shoqërohej në këtë takim nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj, gjatë pritjes në Selinë e Shenjtë, i ka prezantuar Atit të Shenjtë idenë e Shtetit Bektashi në Shqipëri, që do formohet sipas modelit të Vatikanit.
Kjo ide, sipas njoftimit për shtyp të Selisë së Shenjtë, ka marrë bekimin e Papës për bashkësinë e bektashinjve dhe për gjithë popullin shqiptar.
Papa Françesku, në fjalën e tij vuri në dukje marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike dhe Komunitetit Bektashi.
“Në këto kohë të vështira, të gjithë jemi të thirrur të hedhim poshtë logjikën e dhunës dhe mosmarrëveshjes, të përqafojmë atë të takimit, miqësisë dhe bashkëpunimit në ndjekje të së mirës së përbashkët”, tha ai.
Ati i Shenjtë tha se dialogu ndërfetar ka një rol unik në ngritjen e një të ardhme të paqtë.
“Jam i bindur se Komuniteti Bektashi, së bashku me myslimanët e tjerë, të krishterët dhe gjithë besimtarët e pranishëm në Shqipëri, mund të shërbejë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Pavarësisht sfidave të së tashmes dialogu ndërfetar ka një rol unik në ndërtimin e një të ardhmeje pajtimi, drejtësie dhe paqeje që popujt e botës, dhe veçanërisht të rinjtë, e dëshirojnë me aq shumë”, shtoi Papa Françesku.
Ky takim vjen në kuadër të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Bektashiane në Shqipëri. Mes Kishës Katolike dhe Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve u firmos dokumenti mbi vëllazërinë njerëzore, që njihet ndryshe si Deklarata e Abu Dhabit, e cila u bë publike në vitin 2019, e që ka si qëllim vendosjen e paqes në botë.
Pas takimit me Papa Françeskun, delegacioni i kreut të Bektashinjve, i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, zonja Malinda Frangaj, u prit në Vatikan edhe në dikasterin për dialogun ndërfetar.
Tv Klan