Puna transformuese në infrastrukturën e kryeqytetit vijon si në rastin e projektit te Sheshi “Avni Rustemi” në zemër të Tiranës. Sheshi, i cili shërben si urë lidhëse e Pazarit të Ri me unazën e brendshme të Tiranës u inspektua nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetarja e Deleguar e Bashkisë Tiranë.
“Ne duhet ta shikojmë strategjinë dhe bashkë me Fondin e Zhvillimit që ka bërë disa projekte të suksesshme, ai i Beratit për shembull është super, që po angazhohet me një projekt kombëtar për parkimet sidomos për zonat turistike, duhet të bëjmë një bashkëpunim mes bashkisë dhe Fondit që të rishikojmë dhe një herë strategjinë, të kuptojmë se në cilat pikat kryesore nevralgjike mund dhe duhet të ndërhyjmë dhe pastaj të shohim dhe financimin e ndërhyrjes që të jetë një financim i shpejtë dhe që të mbulojmë sa më shumë nevoja sepse kjo historia e parkimeve po bëhet shumë problem”, tha Edi Rama.
Kryetarja e Deleguar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani dha më tepër detaje për rijetëzimin e zonës dhe parkingun nëntokësor me 2 kate.
“Do të kemi 210 vende parkimi në dy nivele. Në nivelin e parë dhe të dytë do të kemi 8 vende për personat e aftësi të kufizuara, me të gjitha lehtësirat, me ashensor të aksesueshëm dhe rampat respektive. Puna është ndarë në dy segmente në mënyrë që të mos bllokohet trafiku, kështu që kjo është gjysma e parë e gërmimit dhe e punimeve dhe në momentin që ajo do të mbulohet do të vazhdojmë me segmentin tjetër”, tha Anuela Ristani.
Gjatë inspektimit në kantier nuk munguan as batutat nga Kryeministri Rama.
“Shefit kryesor të kësaj do ti thuash që atë fasadën e madhe atje do t’ia bëjë dhuratë qytetit, atë të madhen”, tha Rama.
Gjithashtu, Kryeministri Rama ndalesën e radhës e pati tek terminali Veri-Jug pranë Kthesës së Kamzës, një investim tepër i rëndësishëm i cili pas shumë premtimesh po behet realitet.
Terminali ka 30 vende autobusësh për në Jug dhe 19 për në zonën e Veriut dhe do të jetë i përfunduar plotësisht në Shtator të këtij viti me infrastrukturë bashkëkohore.
Klan News