Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Është anuluar interpelanca e kryeministrit Fatos Nano mbi krimin e organizuar, interpelancë e kërkuar nga deputeti i Partisë Republikane Neritan Alibali. Gjatë seancës, kryetari i PD Sali Berisha ka reaguar edhe njëherë, lidhur me atë që ai e quan dhunimin e fjalës së lirë. Zoti Berisha kërkoi një debat në Kuvend lidhur me këtë çështje, duke ngritur si mjaft shqetësues faktin se media po shndërrohet në “Nano media”.
Sali Berisha:- “Mediat po rrokullisen është urgjente zoti kryetar, unë u them dhe njëherë zoti kryetar, unë kërkojë ta trajtojë në parlament, përndryshe iu them, se do ndërmarrim protestat më të papara që ka parë Shqipëria ndonjëherë. Unë dua të përdoret parlamenti, mos të mendoj Fatos Nano, se ne do të dorëzojmë fjalën e lirë. I bëjë paralajmërimin më serioz dhe ju kërkojë ju zoti kryetar, si kryetari i një institucioni pluralist, të vendit, të shprehni shqetësimin më të madh, ju vetë u censuruat dhe po u them unë juve, që kanë pasur urdhër kategorik me të gjitha mjetet, të mos jepej takimi yt në Brataj. Jo këto nuk mund t’i tolerojmë, sepse këto s’i kemi toleruar kur ia kanë bërë zotit Nano dhe tani kërkojë të jetë një çështje urgjente, sepse media po shndërrohet në “Nano media”.
Gjatë seancës në Kuvend, ka dalë në interpelancë me kërkesë të deputetit socialist Spartak Braho, Ministri i Rregullim Territorit dhe Turizmit Besnik Dervishi. Pas një paraqitje të gjendjes së turizmit në vend, investimeve të pritshme dhe problemeve, Deputeti Braho duket se ka qenë skeptik lidhur me këtë raportim.
Spartak Braho:- “Ta gëzojë dhe teleferikun, s’kam gjë tjetër për të thënë”.
Seanca përfundoi me një tjetër raportim të ministrit Dervishi lidhur me pyetjet e deputetes së opozitës Fatbardha Shabani mbi infrastrukturën në Vlorë./tvklan.al