Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar opozitën në seancën parlamentare të së hënës për mungesë reagimi ndaj vendimeve të rëndësishme të marra së fundmi nga komunitet ndërkombëtar për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si një moment krizë për të majtën parlamentare.

Sali Berisha: “Prisja që këtu sot me një akt pendese të thellë, të përshëndesnit firmën historike të 24 tetorit si një ndër aktet më madhore në tërë ekzistencën tonë kombëtare. Çfarë ndodhi në Tiranë me datën 3 prill 30min para se të votohen ftesa për Shqipërinë, mediat tuaja të vetmet në botë, u deklaronin shqiptarëve se nuk do të pranohet Shqipëria, është kështu apo jo? Kishin futur një reporter si fotograf që mashtronte çdo sekondë se nuk do të miratohej. Mbi këtë bazë u thirr mitingu famëkeq i 4 prillit, zoti Rama thirri mitingun në të cilin spikatën edhe portretet e Enverit edhe flamujt e rreckosur të Internacionaleve dhe çdo gjë tjetër, por jo flamuri ngadhënjimtar i NATO-s. Me datën 9 korrik përfaqësues të 26 vendeve anëtare të NATO-s së bashku me sekretarin e përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer firmosën protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kurse ju, çfarë bëtë ju, u morët me misra dhe kollomoqër dhe në këtë parlament jo që nuk shqiptuat një fjalë mirënjohjeje, një fjalë përshëndetjeje, një fjalë falënderimi, por u bëtë si misri vetëm sa nuk përdorët mustaqet e tij për flokët nga mustaqet tuaja. Vazhdojmë më tutje, miqtë e mëdhenj të Shqipërisë në krye të komisionit të Jashtëm e të senatit bën një akt të jashtëzakonshëm, e futën në rendin e ditës të komisionit të Jashtëm, ku ishte ju? Ju thërrisnit mitingje për një profani makabre masive.”

Gjithashtu kreu i qeverisë e akuzoi opozitën për manipulim të opinionit publik në lidhje me vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka.

Sali Berisha: “Ju u përpoqët të manipulonit mediat dhe i thatë mediave se ne nuk do të vijojmë sipas tyre, ekspertizën e krye ekspertit amerikan sepse kemi ekspertin tonë, i cili i përkiste pikërisht planit hakmarrës për drejtësi, i cili ishte një me aktin e tyre dhe aty i kishit varur shpresat ju. Nuk deklaruat dot, nuk kërkuat dot një ndjesë para shqiptarëve.”

Në kundërpërgjigjeje të akuzave të kreut të qeverisë opozita reagoi nëpërmjet kryetares së Grupit Kuvendor Valentina Leskaj.

Valentina Leskaj: “Unë besoj se kjo është gjëja më e turpshme që mund të deklaronte kryeministri sot këtu për shkak se ishte opozita e para që bëri rezolutën për anëtarësimin në NATO, ishte kryetari i opozitës që bëri takimin me ambasadorët e të gjithë vendeve, ishte kryetari i opozitës i cili vajti deri në Bruksel për të  kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe së fundi ishte opozita, ishte kontributi, ishte konsensusi i opozitës  që mundësoi marrjen e ftesës për në NATO.”

Debatet dominuan diskutimin e kirë ndërkohë që në seancë u votuan pa votat e së majtës disa projektligje si ai për barnat he shërbimin farmaceutik gjithashtu u votua dhe dekreti i presidentit për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, e cila mori 142 vota pro përfshirë dhe ato të opozitës. Me shumicën e kartonëve parlamenti kaloi edhe Altin Ndroqin si anëtar i ri i KKRT-së./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Izmir Hajdari