Lajme Arkiva – TV Klan 2003

I nisur rreth orës 18:30, debati i opozitës për kryeministrin Nano, rreth raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, nuk është karakterizuar përgjithësisht nga fryma e konfliktit dhe sherreve të zakonshme parlamentare. Kryeministri Nano ka mbajtur një diskutim, që prekte pothuajse të gjitha vërejtjet e këtij raporti, por duke i vlerësuar ato si inkurajuese për qeverinë. Zoti Nano ka ftuar sërish opozitën të jetë bashkëpunuese, si në kohën e zgjedhjes së presidentit.

Kryeministri Fatos Nano:- “Në vitin 2002, krahas zgjedhjes së Presidentit të Republikës me konsensus politik, ne filluam së bashku reforma të rëndësishme, për funksionimin e shtetit demokratik, siç janë reforma zgjedhore, reforma në fushën e pronësisë, si dhe reforma të institucioneve të rëndësishme të shtetit, si SHISH, KLSH, Gjykatë Kushtetuese, KLD etj. Ritmi i këtyre reformave, pavarësisht nga zigzaget e qëndrimeve politike të opozitës, ka qenë i kënaqshëm, ndonëse rezultatet e ndonjërës prej tyre, ende po vonojnë”.

Ndërsa zv/kryeministri Ilir Meta u duk më konkret dhe më pranë raportit të KE. Me një gjuhë shumë diplomatike, ashtu siç përmend edhe raporti, Meta ka prekur marrëdhëniet brenda PS.  

Ilir Meta:- “Këtë qëndrim të Bashkimit Europian, unë nuk e kuptojë thjesht si një kritik, apo si një kontestim, për qeverinë dhe institucionet e tjera shtetërore, siç bënë deri tani përfaqësuesit e opozitës dhe as si një manovër për të justifikuar zgjatjen e procesit të negociatave. Në këtë qëndrim unë dallojë një mesazh themelor të BE, për çdo qytetar shqiptar dhe në radhë të parë për parlamentin. Se për të shkuar në Europë, ne duhet të ndryshojmë këndvështrimin tonë ndaj realitetit, si dhe qëndrimin në sjelljen ndaj njëri-tjetrit”.

Ndërsa ashtu siç pritej, lideri i opozitës Sali Berisha ka përdorur fjalorin më të ashpër politik ndaj qeverisë Nano.

Sali Berisha:- “Tirana të shndërrohet në metropolin e krimit të organizuar dhe të larjes së parave. Në Tiranë po vrave të mbron policia. Ndiqni vrasjet e fundit, regjimi i Fatos Nanos, regjimi i vrasjeve politike, regjimi i tij regjimi i vrasjeve të të gjitha llojeve mafioze. Raporti u asgjësua nga kryeministri dhe në mënyrën më demagogjike, u lexuan fjalime pleniumesh dhe nuk u paraqit asnjë alternativë, për zgjidhjen e problemeve”.

Gjatë seancës zoti Berisha tha, se ishte i zhgënjyer, se kryeministri nuk mbajti premtimin e bërë në Fier, për të publikuar emrat e politikanëve të lidhur me krimin. Ai pati replika të forta me Ministrin e Rendit Luan Rama, për këtë çështje edhe pse zoti Rama premtoi në parlament, se shumë shpejt, opinioni publik do të merrte përgjigje për disa vrasje të bujshme, përfshirë atë të Mirit të Xhikes tek Kartodromi dhe biznesmenit Florian Vila./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço