Nis punimet parlamenti Evropian i të rinjve

Parlamenti Europian i të rinjve çeli sesionin e parë të forumit ndërkombëtar në Durrës. I pranishëm në këtë forum ishte dhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferri, i cili e nisi fjalën e tij me urimin për pavarësinë. Duke u ndalur te reformat e Shqipërisë, ai ia delegoi suksesin të rinjve, që zënë pjesën më të madhe të administratës.

Ferdinand Xhaferri: “Sot është një ditë e veçantë për Shqipërinë, një ditë e madhe. 97 vite më parë ne fituam pavarësinë dhe 65 vite më parë ne u çliruam nga nazizmi dhe unë jam shumë i kënaqur, që ne festojmë së bashku në këtë ditë të madhe dhe ju jeni në Shqipëri. Ne jemi mbledhur në këtë konferencë për rolin që duhet të  ketë rinia përsa i takon reformave dhe unë mendoj që në qoftë se do shikohet te Shqipëria, Shqipëria në këtë aspekt mund të thuhet që përfaqëson një model suksesi. Në këto 4 vite, Shqipëria arriti të anëtarësohej në NATO. Jemi në paradhomën e BE dhe megjithëse kemi një krizë globale financiare, Shqipëria ka një rritje të qëndrueshme ekonomike prej 5%. Nuk i përmenda këto për te theksuar arritjet e qeverisë, por i përmenda për të theksuar arritjet e rinisë, sepse në qoftë se shikojmë në administratën më të lartë shqiptare, më shumë se 60% të administratës janë të rinj”.

Në përfundim të këtij forumi 100 pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të Europës do të dalin me një rezolutë për strategjinë e zgjerimit të BE, ekonomisë, hartimin e politikave, të cilat më pas do t’i paraqiten ministrive përkatëse për shqyrtim./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami