Erisa Zykaj: “Balkan Trafik është festivali, i cili mbledh çdo vit në Bruksel artistë të vendeve të Ballkanit, që me këngët, vallen dhe me kinematografinë e tyre përçojnë copëza të një mozaiku të pasur, siç është ai i Ballkanit. Për të mësuar më shumë mbi festivalin Balkan Trafik këtë vit dhe për vendin që zë muzika shqiptare në këtë festival, ne kemi ftuar organizuesin e këtij festivali, Nicolas Wiers, i cili ka mësuar gjithashtu një fjalë në shqip. Mirëdita!”

Nikolas Wiers: “Mirëdita!”

Erisa Zykaj: “Cila është veçantia e Balkan Trafik këtë vit?”

Nikolas Wiers: “Veçantia e këtij viti në festivalin Balkan Trafik është takimi muzikor i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Bruksel. Shqipëria ka një kulturë të pasur që ndryshon çdo 15 kilometra, qoftë në aspektin muzikor të valleve, kostumeve apo edhe në gastronomi. Kështu që me Shqipërinë nuk ka rrezik për të mos gjetur artistë.”

Erisa Zykaj: “Si shpjegohet zgjedhja e grupit nga Përmeti me klarinistin Josif Shukallari?”

Nikolas Wiers: “Pata rastin të merrja pjesë në festivalin e Gjirokastrës këtë vit dhe dëgjova shumë për muzikën e Përmetit si qytet që ka një traditë të pasur në klarineta. Kur shkova në Përmet, takova Josif Shukallarin, që është një klarinetist i madh i këtij stili, dhe e binda që ai të vinte në festival për të luajtur një orë me klarinetën e tij të mrekullueshme.”

Josif Shukallari: “Jam, kam pasur ndihmë shumë të madhe nga artisti i popullit Dilaver Bariu dhe nga zoti Vaso Tole, kompozitor dhe studiues i muzikës, nga zoti Qirjako Vangjeli, Niko Mihali.”

Elena Kurze: “Më pëlqeu kombinimi i zërave të muzikës së Përmetit. Të bën të mendosh për këngët e maleve. Janë zëra të fuqishëm që vijnë nga shpirti.”

“E pëlqejnë shumë klarinetën edhe zërin, edhe sidomos këto këngët e shtruara. Këto i duan shumë, sepse e kemi vënë re, për shembull, nga duartrokitjet nga kënaqësitë që na kanë shprehur njerëzit kur ka mbaruar koncerti.”

Erisa Zykaj: “Meqë muzika shqiptare, edhe tingujt shqiptarë, vallja shqiptare, edhe kinematografia shqiptare kanë një impakt të veçantë tek publiku evropian, a ju nxit kjo që të investoni më shumë, të bëni të mundur që të ketë sa më shumë grupe shqiptare që të jenë prezente në të tilla evenimente?”

Mimoza Halimi: “Absolutisht, po. Fakti që muzika shqiptare, siç e thatë edhe ju, ka një impakt të veçantë te publiku, shpresonte edhe në zgjatjen tej kohës së planifikuar të koncertit të grupit nga Përmeti dhe e veçanta e këtij viti ishte që përveçse performancës për dy net me radhë në Bozar, ne kishim dje dhe një performancë në parlamentin evropian, të organizuar në bashkëpunim me reporteren për vizat, Tanja Fajon nën titullin, “Ejani pa viza”.

Teuta Topi: “Artistët kanë qenë ambasadorët e parë, ato kanë qenë persona, të cilët janë paraqitur në Evropë, duke përfaqësuar shumë denjësisht popullin shqiptar. Kështu që shpresoj shumë që këto të jenë ato të cilët ne do na sjellin ashtu siç erdhën dhanë muzikën, shfaqën muzikë këtu, do sjellin vizat për shqiptarët në Shqipëri.”

Erisa Zykaj: “Ka një artist shqiptar që është gjithnjë prezent në Ballkan Trafik, që është Gjovalin Nonaj, por kësaj here ai paraqitet me një performancë të veçantë, apo jo?

Nikolas Wiers: “Ballkan Trafik, përveçse programon dhe prodhon produksione me anë të të cilave ne sjellim së bashku muzikantët e Brukselit me ata ballkanas. Në rastin konkret, Gjovalin Nonaj, fizarmonicist shqiptar në Bruksel, i cili është prezent që në vitin e parë të festivalit. I propozova Gjovalinit që të mblidhte rreth tij artistë të tjerë të Ballkanit dhe kështu lindi Ballkan Sound System, që është një përzierje e muzikës elektronike me atë ballkanike. Pra, do të jetë DJ Gajtano që do të miksojë muzikën shqiptare me fizarmonikën e Gjovalinit në një stil të ri.”

Erisa Zykaj: “Mesazhet politike kalojnë më lehtë nëpërmjet muzikës, pasi ajo është universale, ngaqë edhe qëllimi i eurodeputetes Tanja Fajon, e cila ka organizuar në parlamentin evropian një aktivitet për të influencuar sado pak marrjen e shpejtë të vendimit për liberalizimin e vizave afatshkurtra me Shqipërinë dhe Bosnjën.”

Tanja Fajon: “Këto ditë fillon në Bruksel festivali Ballkan Trafik, ku grupi i Shqipërisë dhe Bosnjës do të marrë pjesë. Duke qenë se unë jam një mbështetëse e fortë e liberalizimit të vizave afatshkurtra në rajonin e Ballkanit, shpresoj që ky proces të finalizohet shpejt me Shqipërinë dhe Bosnjën. Meqë të dyja vendet kanë bërë shumë progres në këto muaj, shpresoj që nga vera, dhe jo shumë më vonë se vera, të arrijnë heqjen e vizave afatshkurtra me Shqipërinë dhe Bosnjën.”

Ndërkohë që grupi shqiptar ka përcjellur gjallërinë, melodinë dhe ritmin e muzikës së zonës së Përmetit, grupi i Bosnjës ka përçuar ndjeshmërinë dhe spiritualitetin e muzikës Sufi.

Niko Mihali: “E vërtetë, si një rast i veçantë, pjesëmarrja e një grupi nga Shqipëria, edhe më tepër nga qyteti i Përmetit në parlamentin evropian ishte një mesazh që ai të ndikonte sadopak, po pozitivisht për miratimin e atij vendimi të mirëpritur tanimë nga tërë populli shqiptar dhe nga politika shqiptare njëkohësisht për lehtësimin e vizave, për lëvizjen e lirë dhe të popullit shqiptar në gjithë hapësirën Shengen.”

Sergio Cantone: “Kultura e muzika janë përdorur gjithnjë për të sensibilizuar zgjidhjet politike. Sigurisht, duke u prezantuar me këtë kartëvizitë, një grup shqiptar dhe një grup boshnjak ideja është të tregohet se këto kultura janë pjesë e Evropës. Aq më tepër duke parë vendin që është përzgjedhur për këtë. Parlamenti Evropian. Mesazhi është i qartë.”

Tanja Fajon: “Ne donim të sillnim muzikë të re dhe kultura të reja në parlamentin evropian, kryesisht në kuadrin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Po bëjmë çmos, jo vetëm duke nxitur vendet përkatëse, por sigurisht, edhe institucionet evropiane. Na takon ne që të ecim sa më shpejt që të jetë e mundur për heqjen e vizave për qytetarët e këtyre vendeve të Ballkanit.”

 Ndërkohë që muzika shqiptare është në tonalitetin Diez, politika shqiptare është me Bemol, gjë që shprehet qartë edhe në deklaratën e eurodeputetes Doris Pack, e cila ka vënë po ashtu në dukje edhe debatin artificial që është krijuar, duke krahasuar Shqipërinë dhe Bosnjën për procesin e liberalizimit të vizave.

Doris Pack: “Shqipëria po përballet tani me një situatë absurde, pasi qeveria po punon, duke çuar çdo gjë përpara, ndërkohë që e vetmja që s’punon është opozita. Nuk flas për të tërë opozitën, pasi unë kam kontakte të vazhdueshme me disa deputetë të opozitës, të cilët po vuajnë nën atë që do ta quaja diktaturë të Edi Ramës, liderit të Partisë Socialiste.  Partia nuk përfaqëson vendin dhe deputetët duhet të punojnë për t’i shërbyer vendit. Ajo që socialistët po bëjnë në këtë moment po cenon imazhin e Shqipërisë pasi edhe pse qeveria ka bërë atë që duhej të bënte, opozita po jep imazhin e mungesës së pjekurisë politike.”

Erisa Zykaj: “Ju i njihni mirë të dyja vendet, pasi keni punuar prej vitesh edhe për Shqipërinë dhe për Bosnjën. Ç’mendoni për tendencën kohët e fundit për të krahasuar Shqipërinë me Bosnjën në kuadrin e reformave për heqjen e vizave afatshkurtra?”

Doris Pack: “Asnjë s’mund të thotë se Bosnja është më e avancuar se Shqipëria, pasi realiteti është ndryshe, por këto vende gjenden në të njëjtën kategori duke qenë se nuk u futën me grupin e parë në listën e bardhë Shengen. Unë kam parë që Shqipëria i përmbush të gjitha kushtet teknike. Këtë e kanë deklaruar publikisht edhe kolegët e mi që erdhën në Shqipëri, duke evidentuar se kriteret janë përmbushur dhe se duhet të jepet heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Mund t’ju them se Bosnja ka bërë disa progrese në kuadrin e liberalizimit të vizave. Nuk mund të gjykoj nëse ata janë në të njëjtin nivel me Shqipërinë, por gjithsesi niveli nuk mund të jetë më i mirë se i Shqipërisë.”/tvklan.al Gazetare: Erisa Zykaj