Erisa Zykaj: “Kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme, ka konfirmuar ekskluzivisht për Tv Klan se çështja e azilkërkuesve shqiptarë nga Maqedonia dhe Serbia nuk ka asnjë efekt mbi heqjen e vizave afatshkurtra për qytetarët e Shqipërisë. Ai ka thënë gjithashtu se procesi është teknik, se arritjet rezultatet konkrete të Shqipërisë janë të dukshme dhe se shtetet anëtare po presin raportin e ekspertëve të Komisionit Evropian për të mbështetur këtë proces.”
Erisa Zykaj: “Zoti kryeministër, kohët e fundit është folur për një impakt të mundshëm të asaj që, meqë azilkërkuesit nga Maqedonia dhe Serbia të ardhur në Belgjikë janë shqiptarë, rrjedhimisht kjo do të ketë efekt negativ për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë. A është e vërtetë kjo apo është spekulim?”
Yves Leterme: “Jo, nuk duhen nxjerrë konkluzione nga ajo që ndodhi me azilkërkuesit nga Maqedonia dhe Serbia. Kjo është në fakt rezultati i një manipulimi që i është bërë atyre qytetarëve të të dyja vendeve. Pra, nuk ka konkluzion për të nxjerrë nga kjo. Madje, ndërkohë, kjo çështje është zgjidhur.”
Erisa Zykaj: “Ju keni vizituar kohët e fundit Ballkanin dhe jeni ndalur në Shqipëri. Ditët e fundit, edhe një grup eurodeputetësh e kanë vizituar Shqipërinë, duke u shprehur i impresionuar nga progresi për kriteret teknike. A e ndani këtë mendim?”
Yves Leterme: “Mendoj se Shqipëria ka bërë progrese, por ju takon specialistëve evropianë që të na paraqesin vlerësimin e tyre global për këtë çështje. Ndërkohë, mendoj se është bërë progres nga qeveria dhe administrata shqiptare.”
Erisa Zykaj: “A është përgatitur presidenca belge, që është presidenca e ardhshme e BE-së, për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën?
Yves Leterme: “Sigurisht jemi të përgatitur, por duhet thënë se heqja e vizave është një proces teknik, nuk është një proces politik. Është në bazë të meritave të secilit vend, që do të vendoset se nëse do të aprovohet heqja e vizave afatshkurtra. Unë kam folur edhe me kryeministrin Berisha për këtë në takimin e Partisë Popullore Evropiane dhe ai është i të njëjtit mendim.”/tvklan.al