Dhoma e Ulët e Parlamentit Holandez miratoi një mocion që i rekomandon qeverisë të kërkojë në Bruksel për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë.
Nisma u paraqit nga nënkryetarja e grupit parlamentar kristiandemokrat Madelejne van Torenburg, pjesë e koalicionit qeverisës. Pro mocionit votuan 105 deputetë, ndërsa kundër 45.
Arsyeja kryesore për të cilën deputetja van Torenburg kërkon pezullimin e lëvizjes pa viza me Shqipërinë, është për shkak të rritjes së kriminalitetit nga grupet mafioze shqiptare.
“Këto organizata kanë keqpërdorur mundësinë e udhëtimit pa viza në Europë, për të zgjeruar rrjetet e tyre të kontrabandës. I kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e “frenimit emergjent” të lëvizjes së lirë pa viza”.
I takon qeverisë holandeze t’ia dorëzojë ose jo këtë rekomandim Bashkimit Europian, i vetmi që mund detyrojë një vend anëtar të rikthejë regjimin e vizave me shtete të tjera, bazuar në kriteret e lëvizjes në zonën Shengen.
Në një reagim të qeverisë holandeze të pasuruar edhe në faqen e ambasadës së saj në Tiranë thuhet se shqiptarët do të vijojnë të lëvizin pa viza deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
“Për momentin, qeveria është duke shqyrtuar hapat të cilat duhet të ndërmarrë. Politika e vizave për udhëtimin drejt Holandës nuk ka ndryshuar. Nënshtetasit shqiptarë, mbajtës të një pasaporte biometrike, mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe 180 ditësh”.
Të mërkurën e kaluar, Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok deklaroi se kjo kërkesë nuk ka mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se Shqipëria vijon ende t’i përmbushë kushtet të lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në vendet e unionit. Ndërsa ish-ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch (holandez) në një opinion në mediat vendase e quajti parodi votimin e parlamentit holandez dhe një ditë të zezë për demokracinë.
Sipas tij, si nismëtarja e mocionit ashtu edhe disa anëtarë të veçantë të Parlamentit që i takojnë ekstremit të djathtë u sollën në mënyrë qesharake duke mos pranuar faktet që flasin për ulje të numrit të azilkërkuesve dhe aktivitetit të grupeve kriminale. Megjithatë, ai thotë se ka ende kohë për të reflektuar dhe për t’u tërhequr nga ky votim.
Tv Klan