Kurorëzimi i Mbretit i kushtoi taksapaguesve 72 milionë paund, sipas shifrave të qeverisë. Më shumë se 50 milion paund u shpenzuan nga Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport (DCMS), i cili koordinoi ngjarjen, ndërsa kostot e Ministrisë së Brendshme arritën në pothuajse 22 milion paund.

Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport e cilësoi kurorëzimin si një moment unik dhe shifrat nuk i kaluan parashikimet fillestare. Duke qenë një ngjarje shtetërore, eventi u financua nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Pallati Buckingham.

Por fatura përfundimtare, e cila ende nuk është bërë publike, vlerësohet të jetë mbi 100 milionë paund. Kjo pritet të ndezë debate mes britanikëve për shpenzimet e mëdha në ngjarjen mbretërore.

Një sondazh nga YouGov përpara kurorëzimit tregoi se më shumë se gjysma e britanikëve nuk dëshironin që qeveria të financonte ngjarjen. Ekonomia e Britanisë është përballur me kriza të njëpasnjëshme përfshirë Brexit, pandemia Covid-19 dhe tani inflacioni me konfliktet globale. Mbreti Charles u kurorëzua monark në një ceremoni në Westminster Abbey në maj 2023 me personalitete nga e gjithë bota të pranishëm.

Klan News