Lajme Arkiva 2003
Rezultatet për zgjedhjet vendore në Korçë kanë marrë formën zyrtare. Nënkryetari i KZQV-së Shkëlqim Kajmaku ka konfirmuar për qytetin e Korçës fitoren e kandidatit demokrat Robert Damo. Kajmaku flet me gjuhën e shifrave. Sipas tij në qytetin e Korçës votuan 34% e zgjedhësve, përfituesi Robert Damo ka mëtuar 1248 mijë votues, ose 47.6%, kurse për kandidatin socialiste Gjergji Duro 9521 votues ose 44.2%.
“Incidente nuk kemi patur. Komisioni ka punuar deri në mëngjes në orën 6 për të përpunuar të dhënat e ardhura, është punuar me përgjegjësi nga të gjithë komisionerët dhe me konsensus të plotë. Demokratët kanë siguruar dhe më tepër vende në këshillin bashkiak. Sipas Kajmakut Partia Demokratike ka fituar si subjekt pa aleatët 43.1% kundrejt 37% që kanë marrë si subjekt vetëm Partia Socialiste. Kështu në konfigurimi e ardhshëm të këshillit të bashkisë, Partisë Demokratike i takojnë 18 vende kurse Partisë Socialiste 13 vende”.
…
Dy partitë kryesore në Berat mesa duket mbajnë të njëjtat qëndrime që mbajnë edhe shefat e tyre në Tiranë. Sipas demokratëve lokal zgjedhjet janë të parregullta për shkak të parregullsisë së listave ndërsa socialistët kundërshtojnë duke thënë se procesi ishte normal dhe i rregullt. Zgjedhësit e paregjistruar ishin edhe socialistë edhe demokrat, thonë socialistët.
Mangësitë në lista i pranon edhe kryetari i KQZV-së në Berat Rrahit Beqiri:
“Procesi i zgjedhjeve në Bashkinë e Beratit ishte një proces i rregullt, një proces që nuk pati incidente, një proces që edhe pasi ne morëm rezultatet në qendrat e votimit nuk pati kontestime, por kuptohet, këtu ne do të kemi parasysh që pati probleme për sa u përket listave të zgjedhësve”.
Në Vlorë kandidati fitues i zgjedhjeve vendore Shpëtim Gjika ka dalë në një konferencë shtypi për të vlerësuar procesin dhe fitoren e tij.
“Unë gjej rastin sot që të komunikoj me ju nëpërmjet medias dhe me të gjithë komunitetin vlonjat pavarësisht bindjeve si kryetar i Bashkisë së Vlorës. Ju mbetem borxhli dhe dua të siguroj duke filluar me veteranët dhe pensionistët e nderuar dhe deri te rinia e mrekullueshme vlonjate se besimi në votën e të gjithëve do ta lexojë vetëm punë dhe përkushtim për Vlorën tonë të përbashkët”./tvklan.al