E paralajmëruar si një festë e demokracisë dhe aspiratës evropiane të vendit Partia Demokratike ka mbledhur strukturat politike të degës Tiranë dhe deputetët e këtij qarku për të përcaktuar detajet mbi organizimin e mitingut të 8 Dhjetorit.

Kryeministri Sali Berisha tha se ky organizim festiv vjen në një kohë kur vendi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara drejt realizimit të ëndrrës evropiane.

Sali Berisha: “Ky përvjetor gjer në pushtet ata që përmbysën diktaturën dhe shembën murin e Berlinit ka pra 1001 arsye që mbarë kombi shqiptar të festojë 8 Dhjetorin si ditën e idealeve të tij evropiane.”

Kryeministri Sali Berisha komentoi dhe afatin 10 ditor të vendosur nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama për hapjen e kutive të votimit lëshuar në formën e një ultimatumi për qeverinë.”

Sali Berisha: “Le të merret me mbledhje dhe ultimatume sa të dojë. Atë çka unë i garantoj aleancës punisto-mafioze është se në darë të ligjit një nga një do t’u shkulim dhëmbët dhe pastaj dhëmballët. Nuk do u mbetet gjë në gojë.”

Gjatë mbledhjes së zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike u bë dhe prezantimi i Keltis Krujës, si sekretar i degës së Partisë Demokratike Tiranë post që mbahej nga Bujar Nishani./tvklan.al