Partia Republikane ka hapur zyrtarisht fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 Qershorit ku janë prezantuar dhe 140 kandidatet e saj.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe drejtues te tjerë te kësaj partie, i kane vlerësuar kandidatet republikanë si një zgjidhje mjaft e mire, pasi ata përfaqësojnë shtresa intelektuale, politikane, biznesmenë dhe përfaqësues te shoqërisë civile.
Po kështu, drejtuesit republikane kane vlerësuar rolin e partisë se tyre ne koalicionin e djathte.
Fatmir Mediu: “Partia Republikane është partia e njerëzve të mirë, partia e njerëzve që duan familjen, partia e njerëzve që duan kombin, partia e njerëzve që duan të ardhmen. Shqiptarët duhet të jenë pjesë e ndryshimeve të mëdha të këtij vendi, shqiptarët duhet të jenë pjesë e vendimmarrjeve të mëdha të këtij vendi, shqiptarët duhet të jenë pjesë e të ardhmes, prandaj vota e çdo shqiptari në datën 28 Qershor nuk është votë kundër varfërisë, por është votë për Bashkimin Evropian për të ardhmen që i takon shqiptarëve. E dëgjova me vëmendje kryeministrin shqiptar, e dëgjova edhe në kuvendin e Partisë Demokratike, edhe sot këtu. Premtoj zgjidhjen e çështjes së pronës private. Kjo çështje nuk është çështje politike. I kërkojmë kryeministrit dhe të gjithë mazhorancës për të testuar dhe ndershmërinë tonë karshi qëndrimeve tona të djathta zgjidhjen urgjente të çështjes së pronës private ne Shqipëri”.
Sabri Godo: “Kjo mazhorancë arriti rezultate të shkëlqyera në fushën e integrimit. Asgjë s’mund të mohojë rezultatet e katër viteve të shkuara. Askush s’mund të mohojë perspektivat e mëdha të katër viteve që vijnë. Partia Republikane do të luftojë në këtë fushatë për të afirmuar bindjet e veta. Ne kemi si shtylla të programit tonë demokracinë, kombin, familjen, tregun e lirë dhe pronën private ligjore.”
Anila Godo: “Kjo mazhorancë arriti suksese të dukshme edhe në marrëdhëniet me botën. Sot në NATO, nesër në Evropë. Fitorja e kësaj mazhorance në 28 Qershor është një domosdoshmëri”.
Hapja e fushatës se Partisë Republikane është përshëndetur edhe nga kryeministri Sali Berisha, i cili ka deklaruar se Partia Republikane është aleati me i ngushte i Partisë Demokratike ne këto katër vite te qeverisjes.
Sali Berisha: “Unë dua të falënderoj kryetarin tuaj, Fatmir Mediun. Dua ta falënderoj me mirënjohje sepse unë jam dëshmitar se çfarë kontributi të veçantë, të rëndësishëm kryetari juaj ka dhënë në projektin më madhor të këtij kombi pas pavarësisë së Shqipërisë, anëtarësimin e saj në NATO. Fatmir Mediu ishte një nga ata ministra dhe drejtues ndër të parët që i besoi mundësisë së shndërrimit në realitet të atij projekti në një kohë kur besimi për të ishte në nivelet minimale. Të gjitha reformat që ne ndërmarrim kanë vetëm një synim se si ta ndryshojmë për mirë jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Ju vini krenarë sot me kontributin tuaj të madh që keni dhënë për një nga çështjet më themelore ose më themeloret se prona është çështja më themelore e një rendi shoqëror, që keni dhënë për pronën dhe pronësinë. Ju keni një program të shkëlqyer, por keni ditur dhe të bëni kompromis. Në emër më të madhes, keni sakrifikuar më të voglën se vetëm kështu ecet, por ama cili është bilanci? Bilanci është sot ky, të dashur republikanë dhe republikane. Janë mbi 700 mijë familje të pronësuara nga ky koalicion nga ’92-shi gjer sot.
I pranishëm ka qene edhe kongresmeni amerikan, Robert Aderholt, i cili ka deklaruar se Shqipëria po ecën ne rruge te mbare përkrahë Shteteve te Bashkuara te Amerikës.
Robert Aderholt: “Kjo është hera e tretë që vij këtu dhe Shqipëria po ndryshon. Shqipëria ka arritur standarde dhe hyrja në NATO i shton më shumë përgjegjësitë. Dje isha në rrugën Rrëshen-Kalimash dhe mund të them se është një rrugë e standardeve të larta, të njëjta me ato që janë dhe në Shtetet e Bashkuara”./tvklan.al