Partia Socialiste duket e prerë në qëndrimin e saj për të marrë nën shqyrtim vetëm dekretin e presidentit në komisionin për reformën zgjedhore.
Deklarata e kryeministrit Berisha u trajtua nga përfaqësuesit e selisë roze si politikë diversioni që po ndjek lideri i së djathtës.
Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, lexon në këtë qëndrim të kryeministrit përpjekjen për të zhvendosur vëmendjen nga çështje të rëndësishme që përbëjnë shqetësimin real politik.
Valentina Leskaj: “Berisha sot është në kohë të vështirë për shkak të ligjit të dosjeve që i kanë mbetur në dorë. Një ligj antikushtetues, një ligj kundër kritereve të këshillit të Evropës, një ligj për të cilin ka pasur reagime serioze dhe nga partnerët ndërkombëtarë e natyrisht për të kapërcyer këtë situatë, për të spostuar vëmendjen hedh nga këto shashka do të thosha që nuk janë asgjë tjetër vetëm presione e diversione”.
Por këtij komunikimi për median socialistet i shtuan dhe një tjetër deklarim po aq kundërshtues ndaj qëndrimit të kryeministrit Berisha mbi çështjen e kodit zgjedhor.
Këtë herë edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, u akuzua nga PS se po ndjek të njëjtën linjë të diversionit politik.
Mimi Kodheli: “Nuk na çudit fare shfaqja e dyfytyrësisë së radhës që Sali Berisha dha sot duke qarë hallin Ilir Metës. Në derexhenë ku është katandisur kryeministri Meta është vërtet shpresa e fundit që i ka mbetur për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit qeveritar. Përgjigja jonë është e thjeshtë. Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë vetëm për dekretin e presidentit. Të tjerat janë politikë e vjetër kulisash dhe diversionesh që Berisha dhe Meta mund të vazhdojnë t’i bëjnë njëri-tjetrit.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi