Partitë e vogla ndajnë qëndrime të ndryshme mbi atë se çfarë do të sjellë produkt final puna e komisionit për reformë zgjedhore pas miratimit një ditë më parë në Kuvend. Neritan Ceka thotë, që formula e zgjedhur që përjashton pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, por vetëm grupeve parlamentare është jo transparente.

Neritan Ceka: “Ndryshon në fakt që tani është PS-PD, sepse ato kanë të drejtën e vetos, ndërkohë që në komisionin e mëparshëm, të gjithë partitë e vogla kishin një veto, pra ishte me 3 veto dhe ishte më e ekuilibruar. Kështu që ky kuptim është një marrëveshje e thjeshtë PD-PS dhe do të jenë ata në fund të fundit që do të vendosin pastaj për kodin.”

Debat shkakton dhe mënyra e vendimmarrjes në kuvend, votë e ponderuar që vlerëson peshën parlamentare të çdo force politike, një çështje që nuk duket të përbëjë shqetësim të paktën për republikanët.

Arian Madhi: “Kuvendi i Shqipërisë vendosi, që nëse nuk do të votojnë në unanimitet dy partitë e mëdha nuk do të quhet i kaluar asnjë vendim çka do të thotë e bën tërësisht të pavlefshëm kontributin nëpërmjet votës së partive të vogla, sepse dy partitë e mëdha përbëjnë 75 deputetë, përbëjnë shumicën e deputetëve të përfaqësuar në komision, çka do të thotë, nëse janë të detyruar që të dy të jenë të unifikuar në nj qëndrim pastaj nuk ka më rëndësi nëse ka dhe një 60 apo 65 deputetë të tjerë, sepse vendimi merret me shumicë prej 75 deputetësh. Jemi para një komisioni i cili po harton kodin zgjedhor, më pas pastaj sigurisht nëse do të ketë divergjenca është e kuptueshme që këto divergjenca mund të shprehen pastaj dhe nëpërmjet votës nëse janë të pazgjidhshme, nëpërmjet votës së parlamentit.”

Kuvendi miratoi një ditë më parë komisionin e posaçëm kuvendor për reformë zgjedhore, Ilir Rusmaili dhe Fatmir Xhafa do të jenë bashkëkryetarët e tij. Partitë e mëdha kanë vendosur një afat, të paktën me deklarata që puna për hartimin e kodit të ri zgjedhor të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator Isdor Rudho