Kush do të zëvendësojë Sandër Lleshajn në Ministrinë e Brendshme? Kjo pyetje është bërë në emisionin Opinion në Tv Klan. Analisti Armand Shkullaku, i ftuar në studio, ka thënë se nëse do të ishte në vend të Kryeministrit Edi Rama, do të zgjidhte një grua si ministre të Brendshme. Dhe sipas tij, kjo grua do të ishte Mimi Kodheli, pavarësisht se më shumë preferon Elisa Spiropalin.

Ndërsa i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse Pandeli Majko do të ishte një zgjedhje e mirë në krye të Ministrisë së Brendshme, Shkullaku tha që jo për arsye se nuk do të bënte kompromis në zbatimin e ligjit.

Armand Shkullaku: Edi Rama këtë radhë do bëjë ç’është e mundur që ministri i ardhshëm i Brendshëm të jetë femër. Do përpiqet të zgjedhë një femër, për arsye se me meshkujt nuk i ka ecur. O i kanë përfunduar trafikantë droge, o kanë patur ndonjë vëlla trafikant droge, o kanë ikur se policia ka vrarë njerëz. Kështu që femrat përgjithshësisht… mendoj që do jetë femër, dhe për të një dhënë një imazh mendoj të kundërt me atë që policia mori këtë 1 vit e gjysmë, imazhin e një policie pak të dhunshme. Një femër mund ta hiqte deri diku këtë imazh.

Blendi Fevziu: Mund të ishte Majko një ministër i Brendshëm i mirë?

Armand Shkullaku: Jo! Pandi jo sepse është gjaknxehtë, është impulsiv dhe para ligjit ai nuk pyet as për Kryeministrin, as për njeri kështu që mund të jetë një ministër i Brendshëm problematik. Pandi ka pasur dhe probleme me dhëmballët, nuk e di nëse i ka rregulluar. S’ka folur atëherë në kohën e teatrit, kështu që më mirë mos ta ngatërrojmë në këtë punë. Mendoj që do jetë femër. Nga këto që janë këtu të gjitha i përmbushin kriteret që do kishte qejf Edi Rama. Unë mendoj që në këtë rast do prevalojë besnikëria. Sepse do ketë zgjedhjet, do jetë ministër që do jetë goxha nën presion. Ne po ta shikojmë, Edi Rama me asnjë nga ministrat e Brendshëm nuk përfundoi me marrëdhënie të mira.

Blendi Fevziu: Po të ishe në vend të Ramës dhe me mendësinë e Ramës, kë do zgjidhje?

Armand Shkullaku: Unë Elisën kam qejf, kështu si tipologji, por unë do të kisha zgjedhur Mimin për vete. /tvklan.al