Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur të mërkurën Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin për t’i njoftuar zyrtarisht për përfundimin e hetimeve për çështjen e ish-kompleksit “Partizani”. Atyre do t’u vihen në dispozicion të gjitha aktet përfundimtare të hetimit.
Deri më tani, siç raportoi gazetarja Glidona Daci nuk dihet nëse kryedemokrati do të jetë i pranishëm në ambientet e SPAK apo do të përfaqësohet vetëm nga avokati i tij. Kujtojmë se ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Si Berisha dhe Malltezi ndodhen në arrest shtëpie.
Ndërsa i pranishëm këtë të hënë në SPAK ishte biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar po ashtu për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Ai është njohur me përfundimin e hetimit ku i janë përcjellë edhe aktet përfundimtare të investigimit.
Për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur edhe Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, të dy për pastrim parash. Siç raportoi gazetarja Daci ata janë thirrur të martën që të paraqiten në prokurori./tvklan.al