Pas Dzmitri Padstrelau, Partizani ka firmosur me një tjetër lojtar në repartin e sulmit. Bëhet fjalë për Besar Guxhufin.
Futbollisti 20-vjeçar vjen pas aventurës te Shkupi në Maqedoninë e Veriut, ndërsa luan në të majtë të sulmit.
Anësori shihet si pasues i Tedi Carës, i cili në këtë merkato u transferua në Ukrainë. Guxhufi ka qenë pjesë e të rinjve të Beshiktas në Turqi, ndërsa është grumbulluar edhe nga trajneri Alban Bushi te Kombëtarja U-21.
Në njoftimin e Partizanit, thuhet se Guxhufi ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2029.
“Partizani me kënaqësi zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me Besar Guxhufin. Sulmuesi 20 vjeçar është përforcimi i radhës i të kuqve përgjatë merkatos së Janarit. Guxhufi një prej talenteve të ekipit tonë përfaqësues U-21, ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në vitin 2029. Sulmuesi mbërrin te Partizani pas eksperiencave pozitive te skuadra e 19 vjeçarëve të Beshiktash dhe FC Shkupit”, shkruan klubi.
/tvklan.al