Seanca paraprake ndaj kryedemokratit Sali Berisha është shtyrë më 20 Janar në orën 10:00. Pritet të shohim nëse dosja ndaj tij do të kalojë për gjykim ose jo, pasi ish-kryeministri po përballet me këtë proces gjyqësor për më shumë se një vit.
Berisha u paraqit këtë të Hënë në ambientet e SPAK pas vendimit të Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, kryetari i PD-së duhet të paraqitet të Hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Megjithatë, për Berishën ky vendim është antikushtetues dhe me porosi politike. Ai është shprehur se çështjen do e çojë në Strasburg, duke theksuar se “prokuroria kërkon t’i ndalojë fjalën e lirë”.
Kujtojmë se Berisha qëndroi nën masën e “arrestit në shtëpi” për 11 muaj, ndërsa fitoi lirinë më 27 Nëntor 2024. Ish-kryeministri është i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie “arrest shtëpie”.
/tvklan.al