Lajme Arkiva – TV Klan 2003

I tërhoqën vëmendje Pandeli Majkos për deklaratën e dhënë disa ditë më parë, por nuk na dëgjoi, kështu shprehet ish-ministri i Punëve të Jashtme Paskal Milo, sipas të cilit ende nuk mund të flitet për një incident diplomatik.

Paskal Milo:- “Nuk i takon, që të bëjë vlerësimin në marrëdhëniet me jashtë pa autorizimin e kryeministrit dhe pa konsultimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Së dyti, nuk duhej lidhur çështja e Kushtetutës së Serbisë për Kosovën, me një konferencë të zakonshme sigurinë bregdetare të Malit të Zi, që është mjaft larg çështjes për të cilën u ngatërrua zoti Majko. Nga kjo pikëpamje, unë i sugjerova me shumë dashamirësi zotit Majko, që të reflektonte në pozicionin e vetë, i cili më duket i gabuar, nëse zoti Majko kishte informacion jo të saktë, do të ishte gjysma e së keqes. Nuk është incident diplomatik, sepse refuzimi i një ftese për të shkuar në një konferencë, nuk mund të përbëjë një incident diplomatik. E shumta nëse ndodh që nuk shkon përfaqësuesi qeverisë shqiptare dhe në këtë rast ministri i mbrojtjes, do të linte një shije të hidhur”.

Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ngrinte zërin për çështjen e Kosovës nën Kushtetutën e re të shtetit Serbi-Mal i Zi. Ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu gjykon se diplomacia shqiptare, duhej t’i bashkëngjiste deklaratës së saj korrekte dhe qëndrimin e drejtë të Ministrit të Mbrojtjes Majko.

Tritan Shehu:- “Në lidhje me problemin tjetër, të refuzimit të vajtjes, në takimin e ministrave të mbrojtjes, mua ky më duket një gabim, sepse nuk ka pse të bëhen të gjitha veprimet, të tilla hapa që realisht më shumë mund të dëmtojnë se sa krijojnë elementë pozitiv, por mendoj se atje duhej të shtohej dhe të goditej me forcë ideja që Shqipëria, absolutisht është kundër vendosjes së konceptit të Kosovës, brenda Serbisë, në Kushtetutën e re të Serbisë, pra që të mos përsëritet ai gabim që u bë me Kushtetutën Serbi-Mal i Zi, ku në preambul u vendos Kosova si pjesë e kësaj bashkësie”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj