Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi thotë se nuk ka asnjë çudi në qeverinë e re të Edi Ramës.

Patozi thotë se janë të njëjtët me të cilët PD ka bërë edhe paqen, edhe luftën.

Mbi të gjitha – thotë Patozi – janë tamam ata që na mundën keqas më 25 qershor, duke marrë padrejtësisht në duar të vetëm timonin e vendit, edhe me bashkëpunimin apo paaftësinë tonë.

Ai e quan të pavend të merresh sot me emrat e ministrave, sepse nuk mendon që Edi Rama e ka problemin se nuk di të ndërtojë një qeveri, por se nuk di dhe nuk do që të qeverisë.

Postimi i plotë i Patozit:

MOS SHIKONI NGJYRËN E TIMONIT, POR VESET E SHOFERIT

Po shoh se ka shumë pezm për qeverinë e re të Edi Ramës, por nuk e kuptoj dot se ku qëndron çudia. Sepse për ta “rrëzuar” me komente atë po përdoren si argument emrat më të natyrshëm të një qeverie të Partisë Socialiste. (Të mos harrojmë se është hera e parë në historinë postkomuniste të Shqipërisë që një parti e bën e vetme qeverinë). 

Disa nga të cilët janë aty që nga viti 1941, ndërsa disa të tjerë i solli me vete Edi Rama si pajë, kur shkoi nga bashkia në selinë e PS. 

Janë të njëjtët, me të cilët kemi bërë edhe paqen, edhe luftën, edhe shiun edhe diellin, jemi sharë e akuzuar, pastaj kemi bërë marrëveshje e jemi pajtuar, në tërë këto vite. 

Por mbi të gjitha, janë tamam ata që na mundën keqas më 25 qershor, duke marrë padrejtësisht në duar të vetëm timonin e vendit, edhe me bashkëpunimin apo paaftësinë tonë.

Ndaj më duket e pavend të merremi sot me emrat e ministrave, sepse nuk mendoj që Edi Rama e ka problemin se nuk di të ndërtojë një qeveri, por se nuk di dhe nuk do që të qeverisë. 

Në votëbesimin e kabinetit të parë të tij, këtu e 4 vjet të shkuara, kam thënë se ajo ishte qeveria e parë private dhe jopërfaqësuese në Shqipëri. Dhe për shkak se ishte e tillë ajo nuk shkëlqeu asnjë ditë.

Sot Edi Rama na paraqiti serinë e dytë të kësaj telenovele, ku i vetmi ndryshim është mungesa e ministrave të LSI-së, por vetoja dhe shijet e kryeministrit janë po ato. Ndaj nuk kam asnjë dyshim se do të ketë fatin e së parës. /Tv Klan